... minut pas minuti

Dumani me Prokurorin e Përgjithshëm të Zvicrës: Strategji kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

publikuar nga Brixhilda Xhuraj, ne #Albanian Post. ora 16:30

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka zhvilluar një takim – në Bernë – me Prokurorin e Përgjithshëm të Zvicrës, Stefan Blättler.

Gjatë këtij takimi të nivelit të lartë, u diskutuan zhvillimet më të fundit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionit.

Të dy drejtuesit e lartë rikonfirmuan përkushtimin e tyre për të vazhduar dhe intensifikuar bashkëpunimin e shkëlqyer të nisur midis të dy zyrave përkatëse, duke u bazuar në të drejtën e brendshme dhe instrumenteve ligjore ndërkombëtare të nënshkruar nga të dy shtetet përkatëse.

Bashkëpunimi ndërkombëtar i këtij lloji është thelbësor për të luftuar në mënyrë efektive të gjitha format e krimit të organizuar dhe korrupsionit ndërkufitar.

.dcmads { display: grid !important; width: 100% !important; justify-content: center; } .dcmads:nth-of-type(1), .dcmads:nth-of-type(2) { display: none !important; }

Gjatë takimit, Dumani dhe Blättler theksuan rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve të mira midis të dy institucioneve.

Sipas SPAK, ky bashkëpunim ofron mundësi të shkëlqyera për vendosjen e një komunikimi të vazhdueshëm me qëllim shkëmbimin e përvojave më të mira dhe për krijimin e strategjive dhe njësive të përbashkëta hetimore në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në të dy vendet.

Palët nënvizuan se kjo frymë pozitive bashkëpunimi do të forcojë më tej përpjekjet e përbashkëta për një rend ligjor më të sigurt në të dy vendet dhe në rajon.

Tre ditë më parë Dumani u takua me Colleen Hyland, drejtuesja e zyrës së Departamentit Amerikan të Shtetit për Evropën qendrore dhe jugore.

Përmes një publikimi në X, ish-Twitter, ka qenë Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila ka shpërndarë detaje nga takimi.

“Znj. Hyland përsëriti mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për SPAK dhe institucionet e pavarura të Shqipërisë, duke theksuar rolin vendimtar të reformës në drejtësi në avancimin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt aspiratave të saj euroatlantike”, theksoi ajo në takim.