... minut pas minuti

“Të jemi në PE”, Nazarko për kërkesën e Ramës: Propozim i diskutuar me unionin. Mund të kemi pengesa nga vende si Greqia

publikuar nga Xhen Sila, ne #ABC News. ora 18:37

Kryeministri Edi Rama, në një konferencë që mbajti me presidentin e Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, Oliver Ropke në Bruksel paraditen e kësaj te enjteje, kërkoi që Shqipëria të ketë një ekip në Parlamentin Evropian, jo me të drejtë vote, për të marrë eksperiencë në institucionet evropiane.

Analisti Mentor Nazarko, në një intervistë për "Special Report”, duke komentuar këtë deklaratë të kryeministrit, tha se ky propozim është i mirëmenduar dhe diskutuar me BE-në.

“Konferenca e shtypit e zotit Rama me presidentin e Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, Oliver Ropke ka dy momente. E para, krijimi i komitetit konsultativ midis BE-së dhe vendeve kandidate dhe propozimin e Ramës për një prani fikse të ekspertëve shqiptarë që do të përgatisin Shqipërinë që të integrohet në BE me një shkallë të caktuar pjekurie institucionale. Propozimi i Ramës mendoj se nuk është një propozim që vjen sot, por i mirëmenduar dhe diskutuar me BE. Ky është një proces që ka shumë dimensione. Publiku është i informuar që Shqipëria synon që në kuadër të atij procesi nënkupton përshtatjen e ligjeve të vendit me kuadrin ligjor të BE. Shqipëria tashmë ka kërkuar ndihmën edhe të inteligjencës artificiale për të mundësuar përkthimin e këtij kuadri ligjor në shqip, diçka që lehtëson procedurën e miratimit parlamentar. Hapi i dytë është që propozimi që dha Rama dhe që në fakt nënkupton atë që një vend që ka pasur një drejtim politik, ekonomik të caktuar, ritme zhvillimi politiko-ekonomike dhe institucionale të caktuara, t’i afrohet një strukture komplekse si BE ku qeveriset nga rregullat e veta. Fazë maturie në jetën tonë institucionale për të cilën duhet të përgatitemi. Duhet të jemi përgatitur mendërisht dhe institucionalisht.”, u shpreh Nazarko.

I pyetur nëse këto janë dy hapat e fundit drejt anëtarësimit në BE, analisti shtoi:

"Jo, mendoj se ka shumë hapa të tjera që do të vijojnë për të gjithë kapitujt. Në disa prej tyre, Shqipëria është më përpara si me reformën në drejtësi dhe ku është një garë me pengesa por këto hapa që u diskutuan sot janë hapa drejt afrimit. Duhet të kemi parasysh që pavarësisht se komisioneri Ropke tha se ky është një proces i bazuar në meritë, mund të ketë pengesa me karakter si nga vende fqinje si Greqia. Ngjan në këto momente se Greqia mund të ketë relaksuar marrëdhëniet me ne, por mund të kemi pengesa prej saj. Rama është në luftë me kohën, do të dëshironte që këtë objektiv historik kombëtar ta arrinte gjatë udhëheqjes së vet të qeverisë por kjo ngelet për t`u parë. Shqipëria ndoshta mund të ketë një korsi preferenciale në raport me vendet e tjera të rajonit për t’ju afruar BE përpara se secili prej këtyre vendeve ish jugosllave dhe kjo është një burim sa detyrimesh të reja aq edhe avantazhi që vetëm para tre dekadash dolëm nga një regjim diktatorial.”, shtoi Nazarko./abcnews.al