... minut pas minuti

ANALIZA/ Si mund të ndikojë rezultati i zgjedhjeve amerikane në Balkani

publikuar nga Xhen Sila, ne #ABC News. ora 08:58

Djali i Donald Trump shkon në Beograd, dhëndri i tij bën biznese në Serbi dhe Shqipëri – ndërsa në Kosovë zgjedhjet presidenciale në SHBA shihen me shqetësim. Çfarë pasojash do të ketë rezultati i tyre ndaj Ballkanit?

Vendet e Ballkanit Perëndimor – veçanërisht Serbia dhe Kosova – po i shikojnë me vëmendje zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në SHBA. Çfarë ndikimi do të ketë rezultati i zgjedhjeve në këtë cep të Europës Juglindore? Më 23 shtator, djali i Donald Trump, Donald Jr., u shoqërua nga biznesmenë serbë në Beograd për të diskutuar mundësitë e investimeve. Kjo nuk ishte hera e parë për familjen Trump: kontaktet e ish-presidentit me sipërmarrës dhe përfaqësues të qeverisë filluan që në vitin 2013. Në atë kohë, Ivica Daçiç, atëherë kryeministër i Serbisë, foli publikisht për interesimin e Trump në një projekt për patundshmëri. Objekti në fjalë ishte ish selia e Ushtrisë Popullore Jugosllave, e cila u dëmtua rëndë gjatë bombardimet e NATO-s të vitit 1999. Por negociatat dështuan.

Por, në maj të këtij viti, dhëndri i Trump, Jared Kushner, i udhëhequr nga ish-ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, vulosi marrëveshjen. Kontrata në vlerë prej një miliard dollarësh përfshin një qira 99-vjeçare të kompleksit. Grenell shihet si një kandidat i mundshëm për postin e Sekretarit të Shtetit nëse Trump fiton zgjedhjet presidenciale në nëntor. Ai është konsideruar si ambasadori më i papëlqyer i SHBA-së në Gjermaninë e pas-luftës. Gazeta e përditshme zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ) shkoi aq larg sa e quajti atë "jodiplomatik” për shkak të "sjelljes së tij të neveritshme”. Donald Trump Jr së fundmi e vlerësoi Richard Grenell si "kandidatin kryesor për postin e sekretarit të shtetit”.

Kursi i dështuar ballkanik i Trump 2020

Grenelli, si i dërguar i posaçëm i Trump për Ballkanin, "tërhiqte fijet e marionetave” në vitin 2020 kur kryeministri i Kosovës Albin Kurti u rrëzua për shkak se ai qëndroi në rrugën e një marrëveshjeje tjetër. Marrëveshja në fjalë dyshohet se kishte të bënte me një shkëmbim territorial përgjatë vijave etnike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Në qershor 2020, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, donin të takoheshin me Trump në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar marrëveshjen.
Sipas raporteve, marrëveshja do të kishte lejuar që katër komunitetet me shumicë etnike serbe në veri të Kosovës të bëhen pjesë e Serbisë. Në këmbim, Lugina e Preshevës me shumicë shqiptare etnike në Serbinë jugore do të ishte bërë pjesë e Kosovës. Një shkëmbim territorial si ky mund të kishte një efekt domino në rajon, sepse shtetet e Ballkanit Perëndimorjanë të gjitha ende kryesisht multietnike.

Lidhje të ngushta Trump-Serbi

Udhëheqësi i Republika Srpska në Bosne dhe Hercegovinë, Milorad Dodik kishte kërcënuar se nëse do të bëhej një shkëmbin territorial, Republika Srpska do t`i bashkohej Serbisë. Ky shkëmbin do të mund të sillte një "luftë të re ballkanike”. Rishikimi etnik i kufijve ka potencial të madh për konflikt. Por planet e Trumpit u prishën nga një aktakuzë kundër Presidentit Presidentit Thaçi nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë. Thaçi u vetë-dorëzua në gjykatë.

Ndërkohë, popullariteti i qëndrueshëm i Grenellit në Serbi ilustrohet nga fakti se Marko Duric, ish-ambasadori i Serbisë në SHBA, dhe tashmë ministëri i punëve të jashtme të Serbisë, kohët e fundit tha se Grenell ishte "pa dyshim miku i Serbisë”.

Në vitin 2023, presidenti Vuçiç i dorëzoi Grenellit urdhrin më të lartë të vendit si njohje e avokimit të tij për Serbinë, duke e arsyetuar vendimin e tij duke thënë se: "Unë mendoj se ai është një nga njerëzit e paktë nga SHBA që ka një qasje të ekuilibruar ndaj Kosovës”.

Çfarë do të thotë një fitore e Harris për rajonin?

Qëndrimi pro-serb i Trump lë të kuptohet se çfarë mund të presë Ballkani Perëndimor nëse republikani do të kthehej në Zyrën Ovale në nëntor. Linja e ndjekur nga kandidatja e Partisë Demokratike Kamala Harris, nga anlufta kosovësslloba tjetër, nuk ka qenë deri më tani aq e qartë. Megjithatë, disa përfundime mund të nxirren në bazë të të kaluarës së saj personale dhe pikëpamjeve të politikës së jashtme.

Është e pagjasshme që Harris të favorizojë nacionalistët serbë apo ndojnë grup etnonacionalist tjetër. Përveç kësaj, qëndrimi pro-ukrainas i Harris është i dokumentuar. Është e mundur që presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e ka paralajmëruar atë për planet e supozuara të Moskës për të destabilizuar Ballkanin ose për të hapur fronte të reja atje me ndihmën e nacionalistëve irredentistë serbë pro-Moskë. Lidhjet e ngushta midis Beogradit dhe Moskës mund ta shtyjnë Harrisin të ndryshojë kursin e Amerikës.

Edward Joseph, një studiues i konflikteve në Universitetin e njohur Johns Hopkins, kritikoi kohët e fundit se administrata e Biden-it po bëhej me Serbinë. Ai tha gjithashtu se Vuçiq e ka zhvendosur orientimin e Beogradit si kurrë më parë kah lindja dhe se nuk ka asnjë arsye pse Harris, nëse zgjidhet, të vazhdojë politikën e pasuksesshme të Bidenit. Ish-diplomati amerikan Shaun Byrnes mbajti të njëjtën linjë, duke rekomanduar se SHBA duhet të jetë "më e ashpër me Serbinë, sepse ajo vazhdon të ketë një qasje armiqësore ndaj Kosovës”.

‘Fantazia diplomatike` e Bidenit në Ballkan

Daniel Serwer, një diplomat i vjetër që ka punuar me Richard Holbrooke, arkitektin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, e ka përshkruar politikën e Bidenit për Ballkanin si "fantazi diplomatike”. Në sytë e Serwer, për të ndërtuar Vuçiqin, që kishte qenë ministër propagande në kohën e Slobodan Millosheviçit në vitet 1990, si një spirancë stabiliteti ishte shumë larg realitetit.

Vizitat e shpeshta në Moskë nga aleati i Vuçiqit dhe zëvendëskryeministri serb Aleksandar Vulin, i cili së fundmi siguroi personalisht presidentin rus Vladimir Putin se Serbia është "partneri dhe aleati strategjik i Rusisë”, vë në dyshim politikën e SHBA-së për Ballkanin. Aktivitetet e anëtarëve të rrethit të Trump në Beograd kanë treguar se nëse ish-presidenti rizgjedh në nëntor, objektivat ekonomike do të jenë në ballë të politikës së Amerikës për Ballkanin Perëndimor në të ardhmen. Fakti që presidenti i Serbisë Vuçiq ka marrëdhënie të shkëlqyera me Putinin, i shkon për shtat Trumpit deri në fund.

Shqetësimet për një administratë të dytë të mundshme të Trump

Megjithatë, për Ukrainën, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën dhe Malin e Zi, e gjithë kjo është alarmante. Sepse, megjithëse Bosnja dhe Kosova janë dy shtete qartësisht pro-amerikane, pro-perëndimore me popullsi shumicë myslimane, ato nuk mund të mbështeten automatikisht në mbrojtjen e SHBA-së kundër dëshirave ekspansioniste të Serbisë nëse Trump rizgjedhët si president.

Trump ka treguar në të kaluarën se nuk ka asnjë problem t`i lërë aleatët, nëse kjo i përshtatet agjendës së tij. Për shembull, Në dhjetor 2018, ai njoftoi se do të tërhiqte shumicën e trupave amerikane nga Siria. Duke vepruar kështu, ai tradhtoi kurdët, të cilët kishin bërë shumicën e luftimeve në terren në betejën kundër Shtetit Islamik (IS). Kjo tradhti e aleatëve bëri që Sekretari i atëhershëm i Mbrojtjes i SHBA-së, James Mattis, të jepte dorëheqje.
Para se të dështonte marrëveshja e shkëmbimit territorial, Serbi-Kosovë, Trump e kishte kërcënuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në disa raste se do të tërhiqte trupat amerikane nga Kosova. Prania e këtyre trupave shihet si një politikë jetësore për sigurinë Kosovën, pavarësinë e së cilës Serbia nuk e njeh. Është e diskutueshme nëse trupat e KFOR-it të NATO-s mund të garantojnë sigurinë e Kosovës pa amerikanët. Por, administrata Biden duket se ka marrë të paktën një masë paraprake në këtë drejtim: SHBA-ja e ka furnizuar Kosovën me 250 raketa antitank Javelin, nga ato që ka dërguar edhe në Ukrainë. Edhe Turqia e ka furnizuar Kosovën me dronët e saj Bayraktar. Pa këto dy sisteme armësh, Ukraina nuk do të ekzistonte më si shtet i pavarur. Por ndryshe nga Serbia, që karreth 250 tanke lufte, Kosova nuk ka asnjë. Pra, numri i raketave antitank të furnizuara nga SHBA-ja sigurisht nuk ishte rastësi.

Alexander Rhotert është politolog dhe autor. Studiues i ish-Jugosllavisë që nga viti 1991, ai ka punuar për OKB-në, NATO-n, OSBE-në dhe Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) në Bosnje dhe Hercegovinë, ndër organizata të tjera./DW