Mungonte gjyqtarja, dështon seanca ndaj Dritan Dajtit në Gjykatën e Elbasanit
publikuar nga Java News, ne #JavaNews. ora 12:34
Seanca e rradhës gjyqësore e kërkuar nga i dënuari Dritan Dajti, e planifikuar për t’u zhvilluar sot në orën 09:30 në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, nuk u mbajt.
Shkak për dështimin e seancës ishte mungesa e gjyqtares Thomaidha Roca, e cila ka paraqitur një raport mjekësor për probleme shëndetësore.
Sipas avokatit mbrojtës, mungesa e gjyqtares ishte arsyeja kryesore për shtyrjen e seancës, ndërsa gjykata kishte njoftuar paraprakisht avokatin për pamundësinë e zhvillimit të saj.
Kjo është hera e dytë radhazi që seanca dështoi për të njëjtën arsye, duke vonuar shqyrtimin e kërkesës së Dajtit për deklarimin e përfundimit të ekzekutimit të dënimit me 25 vjet burg.
Dritan Dajti, i cili aktualisht ndodhet në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit, ka kërkuar një rivlerësim të dënimit të tij.
Në vitin 2019, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar, duke e ulur dënimin e tij në 25 vite burg.
Megjithatë, vendimi u ankimua nga Prokuroria, duke penguar lirimin e tij të parakohshëm.
Çështja mbetet e pezulluar deri në caktimin e një seance të re, ndërsa zhvillimet e mëtejshme pritet të përcaktojnë fatin e kërkesës së Dritan Dajtit.
/a.r