Tragjedia në Novi Sad, përleshje mes policisë serbe dhe opozitës
publikuar nga Suela Meno, ne #Euronews. ora 14:46
Përleshjet shpërthyen për të dytën ditë të mërkurën në qytetin verior serb të Novi Sadit midis policisë dhe protestuesve të opozitës, që kërkojnë arrestime lidhur me shembjen vdekjeprurëse të çatisë në stacionin hekurudhor të qytetit, në fillim të këtij muaji.
Protestuesit antiqeveritar provuan të bllokojnë një gjykatë në Novi Sad, ku shembja e çatisë në stacion më 1 nëntor la pas vetes 15 të vdekur dhe dy të tjerë të plagosur. Policia largoi protestuesit nga ndërtesa.
Një veprim i ngjashëm i opozitës të martën çoi në një përplasje disaorëshe, një shenjë e tensioneve në rritje për shkak të ngjarjes së një nëntorit.
Ngjarja në Novi Sad ka shkaktuar një valë protestash kundër autoriteteve dhe arrestime të disa aktivistëve që morën pjesë në to. Shumëkush në Serbi beson se korrupsioni i shfrenuar ka çuar në punë të ngadalta rinovimi në stacion dhe si pasojë në shembjen e çatisë.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, të mërkurën paralajmëroi protestuesit në një deklaratë se policia “nuk do të tolerojë prishjen e rendit it publik, kërcënimet ndaj sigurisë së vendit dhe institucioneve shtetërore, si dhe sulmet ndaj policisë”.
Një grup ligjvënësish të opozitës arritën të hyjnë në ndërtesën e gjykatës në Novi Sad të mërkurën, ndërsa policia largoi të tjerët që po qëndronin jashtë. Protestuesit po kërkojnë gjithashtu lirimin nga paraburgimi të veprimtarëve të burgosur gjatë protestave të fundit.
Çatia e madhe e jashtme prej betoni e ndërtesës së stacionit hekurudhor u rrëzua papritur më 1 nëntor. Fillimisht 14 persona humbën jetën dhe tre u plagosën rëndë, por njëri nga të plagosurit vdiq të dielën.
Autoritetet kanë premtuar një hetim të plotë dhe ministri i ndërtimit i Serbisë, Goran Vesiç, dha dorëheqjen. Presidenti populist Aleksandar Vuçiç paralajmëroi më shumë dorëheqje.