... minut pas minuti

Takimi me Presidentin, Shehaj: Nuk mund të mbahet samiti para zgjedhjeve!

publikuar nga Java News, ne #JavaNews. ora 14:23

Kreu i Partisë Mundësia Agron Shehaj ka dhënë një deklaratë për mediat pas takimit me Presidentin e vendit Bajram Begaj. Ai tha se përfaqësuesit e partive të vogla i propozuan 4 Majin për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës. Shehaj shtoi se i komunikuan edhe shqetësimet e tyre për procesin zgjedhor, bazuar te ato të fundit.

“Komunikuam dhe i shprehëm shqetësime ttona që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor, partia në pushtet fitoi 90% të bashkive në zgjedhjet e fundit dhe kjo tregoi se ka shumë probleme. Presidenti ka pak hapësira për të ndërhyrë. Vuri në dukje rëndësinë e zgjedhjeve dhe që qytetarët shqiptarë të zgjedhin se kush do e qeverisë vendin.”

Ashtu si Duka, Shehaj theksoi se Samiti me liderët e Europës nuk mund të mbahet para zgjedhjeve.

“Jemi në nivel thashethemesh, nuk ka akoma datë zyrtare. Unë mendoj që është e papranueshme dhe e padobishme e me ndikim të madh në zgjedhje nëse ky event kaq i rëndësishëm mbahet dy ditë, një javë apo një muaj para. Nuk mund të vendoset data e zgjedhjeve të ardhshme duke u bazuar në informacione të paverifikuara. Le ta bëjnë pas zgjedhjeve, nuk besoj që është problem i madh për ta. Sepse partia në pushtet e përdor si vlerësim për qeverinë shqiptare, jo për kombin”, tha ai.

/a.r