Shmangia e përmbytjeve, nis pastrimi i kanaleve kulluese në Gjirokastër
publikuar nga fra nc, ne #Euronews. ora 17:11
Hedhja e mbeturinave në kanalet kulluese është kthyer në shqetësim në qytetin e Gjirokastrës dhe rrethinat e saj, pasi kjo situatë bëhet shkak për përmbytjet gjatë stinës së dimrit. Për këtë arsye ka nisur puna për pastrimin e rreth 15 km kanalizime me qëllim evitimin e dëmtimit të tokave të mbjella gjatë ditëve me reshje shiu. Inxhineri Spiro Diamanti i cili monitoron punën ka folur për Euronews Albania duke apeluar banorët që mbetjet ti hedhin në vendet e përcaktuara.
“Në këtë periudhë jemi duke punuar në rrjetin e kanalave kulluese kemi mbaruar punimet në Njësinë Administrative të Odries, jemi duke punuar në njësitë Cepo, Picar, edhe Lunxhëri për të arritur synimin e pastrimit të rreth 15 kilometrave kanale kulluese primare dhe sekondare”, u shpreh inxhinieri Spiro Diamanti.
“Në Zenelaj për pastrimin e një kolektori kryesor kullues që është në afërsi të fshatit i cili përveç mbetjeve me inerte, kishte dhe shumë mbetje urbane, mbeturina shtëpiake që na u desh një punë shumë më intensive, më e madhe për të kryer pastrimin e tyre. Këtu gjej rastin ti bëj thirrje të gjithë banorëve sidomos të zonave rurale që mbetjet e tyre ti hedhin në vendet e caktuara dhe jo nëpër kanalet kulluese”, thotë inxhinieri Spiro Diamanti.
Një pjesë e banorëve kryesisht në zonat rurale i depozitojnë mbetjet urbane dhe inertet përgjatë kolektorëve në tokat bujqësore ndërsa një numër i lartë i fermerëve në Gjirokastër kanë sipërfaqe të mbjella me drufrutorë dhe vreshtari ndërkohë që ka ardhur në rënie interesi për kultivimin e drithërave të bukës.