... minut pas minuti

“Nëna” vjen në Tiranë, drama e dramaturgut francez shfaqet në ArTurbina

publikuar nga Xhensila Buba, ne #Euronews. ora 22:20

Drama “Nëna” e dramaturgut francez, Florian Zeller, erdhi të mërkurën në ArTurbina.

Me koreografinë e Gjergj Prevazit dhe interpretim të Ema Andreas, Helidon Finos, Enisa Hysës dhe Xhuliano Briskut, “Nëna” ballafaqoi publikun më shumë se sa me një histori, me një përvojë që krijohet nëpërmjet saj.

Në qendër të shfaqjes me regjisor Mehmet Xhelili, ishte drama e nënës, me sëmundjen, krizën dhe dhimbjen e saj, por edhe e personazheve të tjerë që e shkaktojnë apo janë edhe vetë viktima të saj.

Drama trajton dashurinë e të ëmës për birin, largimin e të cilit nga shtëpia nëna e përjeton si tradhti dhe nga devijimet e mundshme patologjike që e shoqërojnë.

Mesazhet e fuqishme të veprës ngrenë pyetjen ekzistenciale të klithur nga nëna në fund të pjesës: Përse u desh të ndodhte kështu?

Autori i veprës, Florian Zeller është një romancier, dramaturg, regjisor teatri, skenarist dhe regjisor francez.

Ai ka shkruar një sërë dramash, që janë vënë në skenë në mbarë botën dhe e kanë bërë atë një nga dramaturgët më të njohur bashkëkohorë.