Poetizmi femëror në poezinë e Helena HALILAJT/ Nga Emi Krosi
publikuar nga lexo.al media, ne #Lexo. ora 23:34
Poetizmi femëror
Studim për poezinë e Helena HALILAJ
Nga Emi Krosi/
Poezia ngjizet në çdo kohë dhe ditë, nga përvoja jonë përditësore. Ajo është sa pasqyrë e shpirtit, aq edhe një trajtë lëndore, që udhënton me shpirtin e lirë, si një reflektim i realitetit dhe dëshirave tona, përmes hapsirave të shqetësimeve, gëzimeve, dëshirave, mungesave duke pasqyruar zërin femror poetik, përmes kohëve, kontrasteve, situatave, gjendjeve, përtej vetes dhe individuales poetike. Një situatë ndjesie e veçantë, vjen përmes trajtës së njohurës dhe të panjohurës, përmes valëzimit poetiko-femëror, poetja Helena Halilaj, na sjell rivajëzimin e figurës femrore perms librit poetik “Pëbri vetes”. Realiteti nuk është vetëm një persiatje e shkrimit femëror, por dhe një adresim i problematikave, nëpërmjet mungesave dhe tepricave të “krizave” personale, familjare, shoqërore, sociale, të një shoqërie vetëm në tranzicion të pafundëm.
Vargjet: veç ty kisha me t’i kallxu krejt dhimbjet/E ty t’i fshehi ma shumë/Tek ti dhemshëm sa tek unë/Nanë…., poetja, ka një qasje të sajën, me një dimension shumë njerëzor dhe human, ndaj shumë problemtika të kohës, por sidomos disa segmenteve të një shoqërie të “sëmurë”, nga mungesa e dashurisë, braktisja, emigracioni, marrëdhëniet në familje, dhuna në shoqëri, sidomos ndaj femrës, apo dhe balancat e shprishura të marrëdhënieve gjinore mashkull/femër.
Përdorimi i përemrave të pacaktuar:[gjithëkund/gjithëkah], i japin asaj një konotacion paanësie, gjithëkohësie dhe gjithëpërfshirëse. Sendërtimi i përemrave të tillë, ka një përfshirje të gjithkundshme, ku përveç shqetësimeve kryesisht gjinore, bie në sy edhe eptimi i një substrati të gegnishtes, që tingëllon aq ëmbël dhe e gjallëron vargun, metaforën dhe fjalën poetike.
Në këtë udhëtim poetik, bie në sy dhe proza poetike, por në shumë spikat shpirti, vullneti, këmbëngulja, butësia dhe eleganca femërore e vargut, në projektimin e një bote përtej ndjeshmërisë femërore. Halilaj, në këtë cikël poetik sjell:
a) qenësia e vetvetes, si pohim/mohim ndaj realitetit,
b) dimensioni i reales, subjektives, objektives, në përmasën shkrimore
femërore,
c) kqyrja me kaq imtësi e realitetit të shoqësisë moderne,
d) kryeneçësia e poetes përtej gjykimit dhe ndjenjës, përmes
“përplasjesh” gjinore kryesisht,
e) qëndresa dhe lidhja me univesales dhe individuales, përkundër
ekzistencës njerëzore,
f) trasmentimi dhe metamnorfoza e dashurisë nëpërmjet këtij udhëtimi
poetik që shkurton kohët dhe distancat,
g) ngjizja dhe vetëdija përbashkuese mes njerëzimit.
Vargjet: E në sy e mbolla dashurinë/ me u rritë përditë…, e bëjnë poezinë e Halilajt një poezi, ku parësore është qenia njerëzore, në çdo kohë, çdo racë dhe çdo gjini. Individualitet i njeriut, “ndërtohet” përmes dashurisë, harmonisë, të bukurës, të mirës, kundër të keqes dhe shëmtisë, të cilën vetëm poezia e përshpitshme ndiesore e dëshmon. Dashuria nuk është dilemë, por energji e papërshkrueshme e vitalitetit të njeriut, të qëmtuar nga vargu i Helenës, përmes fjalësit poetik, me anë të fjalëformimeve: motmotin /gjithkund /gjithëkah /përgjithnonë /lulëkuqe /përnjëherë /gjunjëvrarë /luledielli /buzëqesh /përnjëherë /atdheu /asnjëherë /përgjysmohen /kacafyten /përvjetore /shtatëmbëdhjetë /autoportretin /plotdhimbjen /përgjysmë /luleguri /mosthyerjes /përanash /përbetimit /buzëkuq /kokëshkretë /përgjysmohet /luledelet /përqafuar /askundi/bukëngrënësit/frymëmarrje/këmbëvrarë/paarnuar/ përflaktë/mirëmbetsh.
Sëfundmi: poezia e Helenës, nuk është një poezi “aristokrate”, por e mbushur me ndiesë të një femre që jeton çdo çast në përbashkësinë saj të botës shqiptare. Ajo operon përmes përditësisë tonë kaq kaotike dhe moderne njëkohësisht, përmes stresit dhe depresonit të një shoqërie gjithherë në tranzicion, a thua se ajo ka hetuar çdo skutë të fshehur në hije, ku dritësohet saora nga një gjuhë e lexueshme dhe e kuptueshme nga çdo lexues.