Procesi i integrimit, Balla: Shqipëria, model për reformën në drejtësi! Anëtarësimi me faza s’na dëmton, negociatat synojmë t’i mbyllim në 2027

0
minuti_logo-139

Jashtë Kuvendit, Taulant Balla tha se nesër raporti i piketave të ndërmjetme do të kalojë te Komiteti i Përfaqësuesve, ndërsa javën e ardhshme vjen Konferenca Ndërqeveritare, zhvillime kyçe për procesin e integrimit. Balla tha se Gjermania e ka vlerësuar Shqipërinë si model për reformën në drejtësi, vettingun dhe luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar.

Sa për propozimin e anëtarësimit gradual në BE, Balla tha se kjo nuk është në dëm të vendit. Ai tha se qëndron ambicia për mbylljen e negociatave deri në fund të 2027, ndërsa ratifikimi është proces që varet nga vendet anëtare të BE.

“Jemi në përmbyllje të një jave brenda së cilës BE në respekt të procedurave burokratike kalon nga grupi i punës te Komiteti i Përfaqësuesve nesër ku në njëfarë mënyre miratohet gjithë ajo punë kolosale e bërë nga shumë institucione shtetërore të përfshirë në këtë proces të adresimit të piketave të ndërmjetme.

U identifikuan më shumë se 92 hendeqe që duheshin adresuar dhe ‘Themeloret’ në historinë e BE janë ato që hapen të parat dhe mbyllen të fundit, por në rastin e Shqipërisë, dua të citoj fjalë për fjalë vlerësimin nga Gjermania, thuhet që Shqipëria me reformën në drejtësi, vettingun, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është një model për vendet e tjera që aspirojnë. Kjo javë e rëndësishme përmbyllet nesër me Komitetin e Përfaësuesve dhe javën tjetër me Konferencën Ndërqeveritare. Palët politike duhet të kuptojnë këtë moment që lidhet me një qasje të re nga vendet anëtare të BE.

Nuk duhet të kemi frikë që anëtarësimi me faza na dëmton. Përkundrazi, s’ka të bëjë me ne. Ambicia jonë për të mbyllur negociatat deri në fund të 2027 përputhet me programin e dakordësuar. Ajo që propozon kancelari gjerman ka të bëjë me ratifikimin. Në fund të 2027, mbyllen negociatat. Nga ai moment bëhet gati marrëveshja që shkon për t’u ratifikuar nga vendet anëtare. Nga ai moment, topi është në fushën e tyre. Procesi i ratifikimit është i gjatë, mund të kërkojë përfshirjen e parlamenteve dhe përfshirjen e popullit me referendum”, tha Balla.

Balla u zotua edhe për rolin e opozitës në procesin e integrimit.

“Do të bëj gjithçka që opozita të ketë hapësirën e vet. Në 17-18 qershor do të miratohet raporti në PE. Ndoshta do të ishte mirë që atë ditë të jemi një delegacion i përbashkët mes opozitës dhe mazhorancës”, tha kreu i grupit parlamentar të PS.

I pyetur edhe për propozimin e tij për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, Balla u shpreh se çdo ndryshim konsultohet me Komisionin Europian.

“Ne i kemi sytë nga Europa, t’i mbajmë sytë nga Europa. Çdo ndryshim ligjor duhet të marrë dritën e gjelbër nga Komisioni Europian. Kur ta kemi… jemi në një fazë kur konsultohemi për gjithçka me Komisionin Europian”, u shpreh Balla.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *