YouTube ka përditësuar funksionet e menaxhimit të kohës duke shtuar një opsion të ri që lejon vendosjen e një kufiri zero minuta për Shorts, duke i hequr praktikisht këto video të shkurtra nga aplikacioni në Android dhe iOS. Ky është një zgjerim i funksionit të prezantuar fillimisht në tetor, kur kufiri minimal ishte 15 minuta.
Fillimisht, në janar, kjo veçori u zgjerua për t’u dhënë prindërve më shumë kontroll mbi kohën që fëmijët kalojnë duke parë Shorts, me premtimin se një opsion zero minuta do të vinte së shpejti. Tani, sipas zëdhënëses së YouTube, Makenzie Spiller, ky opsion është aktiv për të gjithë prindërit dhe po shpërndahet gradualisht për të gjithë përdoruesit, përfshirë edhe të rriturit.

Ky funksion është i dobishëm për këdo që dëshiron të reduktojë kohën e kaluar duke bërë “scroll” pa fund. Pasi arrihet kufiri i vendosur, skeda e Shorts nuk shfaq më video, por vetëm një njoftim që informon se kufiri i përdorimit është arritur. Testimet tregojnë gjithashtu se pasi arrihet ky limit, Shorts zhduken edhe nga faqja kryesore (Home), duke e bërë më të lehtë shmangien e tyre. Nëse vendoset kufiri në zero minuta, përdoruesi praktikisht nuk do të shohë fare Shorts në aplikacion.
Për ta aktivizuar këtë opsion, përdoruesit duhet të hyjnë në cilësimet e aplikacionit YouTube, të zgjedhin seksionin “time management” dhe të aktivizojnë kufirin për Shorts, duke vendosur kohën e dëshiruar.
Ky ndryshim i jep përdoruesve më shumë kontroll mbi zakonet e tyre digjitale dhe synon të luftojë ndjekjen e tepërt të përmbajtjeve të shkurtra, të cilat shpesh janë të dizenjuara për të mbajtur vëmendjen për periudha të gjata.
The post YouTube do t’ju lejojë të ndaloni shfaqjen e Shorts në platformë first appeared on Geek Room.