Përplasjet në Theth, reagon Kisha Katolike: Të ndalet dhuna nga të gjitha palët
publikuar nga user 6, ne #Lapsi.al. ora 21:24
Për përplasjet e ditëve të fundit në Theth që kulmuan këtë të premte ka reaguar edhe Kisha Katolike.
“Nisur nga zhvillimet e fundit në zonën e Thethit dhe duke parë situatën e tensionuar ndërmjet banorëve dhe autoriteteve shtetërore, jemi të shqetësuar për çka po ndodh dhe përveç lutjeve tona, ndihemi të detyruar të shprehim edhe qëndrimin tonë.
Si Kishë Katolike jemi dhe do të jemi gjithmonë në anën e paqes dhe të arsyes. Në këtë kohë u bëjmë thirrje të gjithëve të ruajnë qetësinë, të angazhohen për dialog dhe të respektojnë jetën.
Dënojmë me vendosmëri të gjitha format e dhunës, nga cilado palë që të vijë ajo. Jemi në krah të të gjithë njerëzve vullnetmirë, të atyre që punojnë me ndershmëri, sakrificë e dinjitet, shpesh në vuajtje dhe në heshtje. Respekti për ligjin dhe drejtësinë është një detyrë thelbësore për të gjithë.
Ne besojmë se është themelore ta mbrojmë mjedisin, një dhuratë e çmuar nga Zoti, por në të njëjtën kohë, është gjithashtu e nevojshme të mbrojmë ata që, me punë të palodhur dhe me përkushtim, përpiqen të jetojnë ndershmërisht dhe të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre. Lutem me zemër që kjo situatë të marrë zgjidhje sa më të shpejtë” – thuhet në një deklaratë të Arqipeshkvisë Metropolitane Shkodër-Pult.