Konjufca në Bruksel: Është koha që Kosova të nisë negociatat, duam trajtim të barabartë dhe të drejtë nga BE
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në takimin joformal BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, të organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.
Ai ka theksuar përkushtimin e Kosovës ndaj integrimit evropian, rëndësinë e reformave dhe harmonizimit me politikat e BE-së, si dhe ka kërkuar nga Bashkimi Evropian trajtim të barabartë dhe të drejtë.
“Jam shumë i lumtur t’i bashkohem diskutimeve joformale të sotme BE-Ballkani Perëndimor këtu në Bruksel, të organizuara nga zonja Kallas.
Më lejoni ta nis duke thënë se Kosova është fuqishëm e përkushtuar ndaj së ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor. Ne po zbatojmë reforma, jemi plotësisht të harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe po kontribuojmë për stabilitetin e rajonit.
Por ajo që në fakt po minon arkitekturën e sigurisë së Ballkanit Perëndimor, por edhe të gjithë Evropës, është ndikimi keqdashës rus në rajonin tonë.
Dhe për këtë arsye mendoj se një Bashkim Evropian i bashkuar dhe i zgjeruar duhet parë gjithmonë nga perspektiva e një domosdoshmërie strategjike.
Sa i përket dialogut me Serbinë, Kosova ka qenë gjithmonë dhe do të mbetet gjithmonë e angazhuar në mënyrë konstruktive në dialog, por dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë.
Gjithashtu, ne duam të kemi trajtim të barabartë dhe të drejtë nga Bashkimi Evropian
Kosova është e gatshme të ecë përpara dhe të avancojë brenda këtij kuadri të procesit të bazuar në meritë, por në të njëjtën kohë, ajo që ne mendojmë se nënkupton ky proces i bazuar në meritë është që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat dhe të nisë negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian.
Dhe le të fillojmë me pyetësorin. Ky është hapi i parë. Pres me padurim rezultate shumë pozitive dhe konkrete”, është shprehur ai.
The post Konjufca në Bruksel: Është koha që Kosova të nisë negociatat, duam trajtim të barabartë dhe të drejtë nga BE appeared first on Euronews Albania.