“Butrinti ka të paktën 3.000 tifozë në stadium”! E quajnë fakt të kryer marrjen e vendit të Bylisit, Detjoni: Do ngjitemi në Superiore
Kukësi ka humbur pak ditë më parë ndaj Bylisit B dhe ka marrë një goditje shumë të madhe, duke shkuar në Kategorinë e Dytë. Ndërkohë pas humbjes së sotme të Bylisit ndaj Vorës, Bylisi do të shkojë në Kategorinë e Parë.
Në këtë mënyrë, Bylisit B i digjet mundësia për të luajtur në Kategorinë e Parë sepse nuk mund të lejohen dy ekipe të njëjta që të konkurrojnë në kampionat. Menjëherë pasi Bylisi ka rënë nga Superiorja, janë tre ekipe që kërkojnë vendin në Kategorinë e Parë nga Kategoria e Dytë.
Shiroka ka kërkuar që të luhet një ndeshje Play Off me Butrintin për të marrë vendin e Bylisit B, ndërsa nga ana tjetër, Butrinit e ka bërë fakt të kryer se do të jetë ajo në Kategorinë e Parë. Nga ana tjetër, kërkesa e Kukësit është paksa më e veçantë, teksa verilindorët që humbën në ndeshjen direkte me Bylisin B, pretendojnë se te Bylis B janë aktivizuar në atë takim 9 lojtarë të regjistruar te ekipi A i Bylis dhe kjo është kundër rregullit, pasi lejohen vetëm 5.
I ftuar në “Mega Sport” që transmetohet në “A2 CNN”, drejtori sportiv i Butrintit, Detjon Vuria, ka folur sa i përket kësaj çështje. “Ne kemi reaguar duke njoftuar ngjitjen në Kategorinë e Parë pas rënies së Bylisit nga Superiorja. E kemi bërë, jo me një njoftim nga FSHF, po e presim ende atë. E kemi bërë sepse jemi bazuar te neni i FSHF, atje thuhet se në rast se ka dy ekipe të tilla në një kategori si në rastin e Bylisit, atëherë vendin e saj e merr ekipi që ka qenë në Play Off, jo në Play Out.
Pra e merr Butrinti dhe nuk e merr Kukësi, sepse ne ishim në Play Off, ndërsa Kukësi luftoi për në Play Out. Për më tepër, nuk mendoj se Bylisi ka bërë një gabim të tillë që të hidhte në erë sezonin sepse me ekipin e parë po luftonin deri në fund për Superioren. Ne na vijnë të paktën 3.000 tifozë në stadium për ndeshjet brenda në shtëpi, këtë vit na janë kthyer shumë tifozët dhe flitet se do të vijë një investitor i madh që do të na dërgojë në Superiore”, tha drejtori sportiv. /Sport Ekspres/