Rregullorja/ Kukësi, Butrinti apo Shiroka, kush ngjitet në Kategorinë e Parë? Të gjithë kërkojnë vendin e Bylisit B
Kukësi ka humbur pak ditë më parë ndaj Bylisit B dhe ka marrë një goditje shumë të madhe, duke shkuar në Kategorinë e Dytë. Ndërkohë pas humbjes së sotme të Bylisit ndaj Vorës, Bylisi do të shkojë në Kategorinë e Parë.
Në këtë mënyrë, Bylisit B i digjet mundësia për të luajtur në Kategorinë e Parë sepse nuk mund të lejohen dy ekipe të njëjta që të konkurrojnë në kampionat. Menjëherë pasi Bylisi ka rënë nga Superiorja, janë tre ekipe që kërkojnë vendin në Kategorinë e Parë nga Kategoria e Dytë.
Shiroka ka kërkuar që të luhet një ndeshje Play Off me Butrintin për të marrë vendin e Bylisit B, ndërsa nga ana tjetër, Butrinit e ka bërë fakt të kryer se do të jetë ajo në Kategorinë e Parë. Nga ana tjetër, kërkesa e Kukësit është paksa më e veçantë, teksa verilindorët që humbën në ndeshjen direkte me Bylisin B, pretendojnë se te Bylis B janë aktivizuar në atë takim 9 lojtarë të regjistruar te ekipi A i Bylis dhe kjo është kundër rregullit, pasi lejohen vetëm 5.
Sipas asaj që ka thënë edhe moderatori i emisionit Altin Sulce në Mega Sport, pjesëtarë të FSHF kanë treguar se në ditët në vijim do të merret një vendim i saktë në lidhje me këtë çështje. Ndërkohë i ftuar në panel, Eduard Zhupa, tregon se sipas rregullave të FSHF, ky vend i takon Butrintit. /Sport Ekspres/