... minut pas minuti

Autoritetet nuk angazhohen mjaftueshëm për mbrojtjen e viktimave të dhunës me bazë gjinore, zbulon raporti

publikuar nga Klevis Hoxhaj, ne #Albanian Post. ora 07:15

Autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë hapa të rëndësishme për të reformuar ligjet dhe politikat ekzistuese për mbrojtjen e viktimave të dhunës me bazë gjinore, por ka ende "boshllëqe të rëndësishme” kur bie fjala për zbatimin e tyre.

Kështu vëren raporti i fundit i publikuar të martën e 17 shtatorit, nga Komiteti i Palëve për Konventën e Stambollit pranë Këshillit Evropian.

Ky vlerësim është kryer nga Grupi i Ekspertëve të Këshillit të Evropës për Veprimin kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (GREVIO), një organ i pavarur monitorues i të drejtave të njeriut i mandatuar për të monitoruar zbatimin e konventës.

Grupi theksoi se kërkesat që viktimat mund të raportojnë një krim për të marrë shërbime të specializuara mbështetëse ekziston në praktikë.

.dcmads { display: grid !important; width: 100% !important; justify-content: center; } .dcmads:nth-of-type(1), .dcmads:nth-of-type(2) { display: none !important; }

Por, mungesa e zbatimit të mjaftueshëm të urdhrave të ndalimit emergjent dhe mbrojtjes, është aty ku "praktika bie në mënyrë më të dukshme në kundërshtim me angazhimin e autoriteteve”.

"Boshllëqet e rëndësishme midis vullnetit politik për reforma dhe zbatimit të këtyre dispozitave vazhdojnë të minojnë besimin e viktimave”, shkruhet në raportin e GREVIO-s.

Për të adresuar këtë temë gjithëpërfshirëse, raporti vlerësoi jo vetëm nivelin e koordinimit të politikave kombëtare, por gjithashtu mbuloi nivelin e financimit dhe vlerësimit të tyre si dhe ofroi njohuri mbi përpjekjet e bëra për mbledhjen e të dhënave.

Procedurat e vlerësimit bazë të GREVIO-s dhe përfundimet mbi zbatimin e rekomandimeve të Komitetit të Palëve në Konventën e Stambollit, kanë zbuluar sfida të rëndësishme dhe nevojën për veprime të mëtejshme në Shqipëri.

Sa i takon identifikimit të tendencave në zhvillim në parandalimin dhe luftimin e dhunës me bazë gjinore, GREVIO vlerësoi fillimisht përpjekjet e lavdërueshme të bëra për zbatimin e kësaj konvente – të përbashkëta midis palëve ose unike për disa.

Ndër të tjera, grupi i ekspertëve identifikoi "manifestimet e dhunës që janë në rritje” ose të cilat mundësohen nga arsyet themelore strukturore që mbeten të pa adresuara.

"Raporti vlerëson shumëllojshmërinë e masave të marra nga autoritetet shqiptare për të parandaluar dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje dhe për të ofruar mbrojtje, mbështetje dhe drejtësi për viktimat”, vijon GREVIO.

Në këtë drejtim, GREVIO mirëpret ndryshimet gjithëpërfshirëse legjislative që nga miratimi i raportit të vlerësimit bazë, veçanërisht miratimi i dy amendamenteve të njëpasnjëshme në Ligjin për Masat kundër Dhunës në Marrëdhëniet Familjare, si dhe një reformë të Kodit Penal, dhe miratimin e shumë akteve nënligjore.

Grupi i ekspertëve e vuri theksin gjithashtu te prezantimi i mekanizmit të koordinuar të referimit, "një projekt pionier për të sjellë mbrojtjen e institucionalizuar dhe të koordinuar më pranë viktimave”, në të gjitha bashkitë shqiptare.

Përpjekjet për të përmirësuar mbledhjen e të dhënave përmes prezantimit të një baze të re të dhënash janë të lavdërueshme dhe përfaqësojnë një bazë solide mbi të cilën autoritetet mund të vazhdojnë të ndërtojnë, zhvillojnë dhe integrojnë të dhëna nga palët e tjera të interesuara, shtoi raporti.

Përtej progresit të bërë në Shqipëri për zbatimin e konventës, GREVIO ka identifikuar fusha që kërkojnë veprime urgjente nga autoritetet për të përmbushur plotësisht dispozitat.

"Pajtimi i detyrueshëm në lidhje me rastet e përdhunimeve kërkohet ende në Shqipëri, një çështje që duhet trajtuar urgjentisht. Në mënyrë të ngjashme, një sfidë e rëndësishme mbetet niveli i lartë i shlyerjes së rasteve të raportuara, por të pushuara diku përgjatë rrugës së sistemit gjyqësor dhe kurrë nuk arrijnë një dënim”, solli në vëmendje organi i pavarur.

Grupi kujtoi faktin që stigma që rrethon dhunën seksuale dhe përdhunimin rezulton në norma jashtëzakonisht të ulëta të raportimit, "gjë që përforcohet nga ekzistenca e vetëm një qendre të krizës së përdhunimit, e pamjaftueshme për të qenë funksionale në vend”.

"Më tej, autoritetet duhet të sigurojnë që trajnime sistematike dhe të detyrueshme fillestare dhe gjatë shërbimit për identifikimin dhe reagimin ndaj të gjitha formave të dhunës ndaj grave t`u ofrohen të gjithë aktorëve në sistemin e drejtësisë, si gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe oficerët e zbatimit të ligjit, si dhe për profesionistët e kujdesit shëndetësor dhe arsimit”, nënvizon raporti i GREVIO-s.

Publikimi zbuloi gjithashtu se sistemi i kujdesit shëndetësor duhet t`i nënshtrohet një reforme të rëndësishme.

Kjo, në mënyrë që të sigurohet që shërbime gjithëpërfshirëse të kujdesit shëndetësor t`u ofrohen grave dhe vajzave, përfshirë ato me probleme të shëndetit mendor.

Kësisoj, rrugët e standardizuara të kujdesit duhet të zbatohen jo vetëm për të siguruar identifikimin e viktimave, por edhe për "hartimin e raporteve mjekësore që detajojnë dhunën e pësuar”.

Në përmbyllje, organi i pavarur i KiE-s pohoi gjithashtu se janë evidentuar "mangësi të rëndësishme në ofrimin e kujdesit të specializuar për viktimat e dhunës seksuale”.

Prokuroria ka kërkuar burg vetëm në 60% të rasteve për dhunën në familje