... minut pas minuti

Mehmet Elezi: 31 poezi hajk

publikuar nga ExLibris, ne #ExLibris. ora 17:18

1.
Bota u zvogëlua, sa një kokërr mollë
Dikush do ta kafshojë prapë
Eva a Borëbardha?

2.
Në një zyrë u përdhunua një grua
Nëna e përdhunuesit u përpëlit në varr
Dheu u plasarit deri te Kau i Zi

3.
Desha me u ba i gjithfuqishëm si ëndërr
Një ëndërr mund t’i ngjallë të vdekuritmbarë
Ah! ku me e çue atë ushtri pafund!

4.
Molla në kokë, rastësi a fat
Njutoni zbuloi ligjin e rëndesës
Për ligjin e Fatit s’ka Njuton kjo botë

5.
Kjo vogëlushe u nis e lumtur për në shkollë
Çanta, shishja e ujit dhe një shkrepëse
Për kur të shuhet Dielli

6.
Nga poshtë gjergjefi nyje e shëmti
Ai lart, që qëndis
Sheh lulnajën në prehër

7.
Ujkut ia kursyen plumbin
I varën një kumbonë në qafë
Ai cofi úni

8.
Natyrë e qetë:
Ballkoni me lule, dielli në një vazo, filxhanët e kafes
Ne të dy

9.
Ai, në gropë pa emër
Deri në qiell shtatore tjetri
Cili është heroi?

10.
Rrnove një ditë, rrnove njëmijë vjet
Parë nga hapësirat e pamata të vdekjes
Njësoj, një kokrrizë rëre

11.
Mirënjohja? Ky tipar i qenit!
E dëgjoi mirënjohja
Dhe u mbyt në lumë

12.
Bleta vdes
Nëse ta ngul thinxin
Ju lutem mos i bini në qafë

13.
Ç’hapësirë e zbrazët pas Kadaresë!
Me emrin e Tij
Dyer të zdritshme kam hapur nëpër botë

14.
Ai ndërroi jetë
Nga biblioteka doli tym
U dogjën pergamenë librash të pashkruar

15.
Thuaji je e mençur, mirë i vjen
Thuaji je e bukur, me flatra bëhet
Mos po e humb betejën mençuria?

16.
Gjeli në zenit të plehut
Tërmet në koloninë e krimbave
Bota rri e qetë, gjeli s’ka penis

17.
Ky kalë, prit e prit skaj kalorësit të vdekur
Dimri e shndërroi në shtatore bore
O njerëz, paçi fisnikërinë e kafshëve

18.
Lajmi i parë: koncert roku në stadium
Lajm i gjashtë
Të vrarë rrumbullak dyzet mijë në Gazë

19.
Mend gjen sa të duash rrugës me pluhur
Mjafton me i zbritë kalit
E me i mbledhë

20.
Dantja s’paskish rënë në dashuri me Beatriçen
Ai adhuronte
Bukurinë

21.
Njëqind vjet Kosova
Dhimbje ashti
Ashti s’kalbet, dhemb edhe në varr

22.
Kaloi një grua veshur me shije
Sytë e tij e shikonin
Të zhveshur

23.
Kush është i madh e kush i vogël?
Një virus i padukshëm
E gjunjëzoi planetin

24.
Sa herë çoj lule te të dashurit e mi
Takoj Nerudën
Kah bën një dush varrezash

25.
Ky qytet vishet me petka të vdekurish
Kujdes
Është më i gjallë se tërë të gjallët

26.
E priti Shën-Pjetri në derë të Parajsës
Kush priste në atë derë
Para Shën-Pjetrit?

27.
Djepi në kullën e moçme
E përkund era
Asnjë e qarë nuk dëgjohet

28.
Mjerë njeriu, në ardhshin jashtëtokësorët
Do pushtime tokësorësh
Më pak të frikshme janë?

29.
Ti s’ke me hangër,
Ai nuk ngihet kurrë
Varfëri pa fund

30.
Më rrej diçka të bukur
Një rrenë e bardhë
Më mban 24 orë

31.
Kryeheroi vjen turist një natë vere
Konjak Skënderbe, dhallë Skënderbe, lider Skënderbe
Darkë lëng groshe Skënderbe dhe zhduket