... minut pas minuti

Regjistrimet në universitetin e Gjirokastrës, dega e mësuesisë drejt mbylljes

publikuar nga Fia Nelaj, ne #Euronews. ora 16:04

Në përfundim të fazës së parë të regjistrimeve në Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës , numri i studentëve që do të nisin vitin e parë është 200.

Por shqetësim ngelet numri i pakët i të interesuarve për të vazhduar degët e mësuesisë.

Në këtë fazë të regjistrimit ato kanë një numër të ulët studentësh ndërsa disa degë rrezikojnë edhe mbylljen.

 “Si gjithmonë problematike mbeten programet e mësuesisë dhe kjo ndoshta i dedikohet edhe të gjitha atyre kritereve që janë vendosur në programet e mësuesisë, por ky ka qenë vetëm përfundimi i raundit të parë ndërkohë që tashmë jemi për në fazën e aplikimeve në raundin e dytë dhe ne presim që shifrat të ndryshojnë,” –thotë Brikena Metaj, specialiste e Marrëdhenieve me Publikun.

Degët më të kërkuara janë degët e infermierisë dhe ekonomikut, të ndjekura nga dega teknologji- informacioni, të cilat kanë regjistruar më shumë student.

"Në përfundim të raundit të parë të regjistrimeve ne kemi mbi 200 aplikime të reja dhe degët më të preferuara ngelen degët e infermierisë dhe ekonomikut por risi e këtij viti ka qenë edhe dega e teknologji-informacionit dhe kjo ndoshta i dedikohet kërkesës së tregut që po shkon gjithnjë e më shumë drejt teknologjisë dhe kjo i ka nxitur edhe të rinjtë që të kërkojnë të studiojnë në këto programe,”- shprehet më tej specialistja.

Universiteti “Eqrem Cabej” ofron 22 programe studimi 16 prej të cilëve i përkasin ciklit baçelor ndërsa pjesa tjetër programeve profesionale dyvjecare. Me një histori mbi gjysmëshekullore, universiteti i Gjirokastrës është institucioni më i rëndësishëm akademik në jug të vendit, por që vitet e fundit e ka humbur shkëlqimin e vet.