... minut pas minuti

“MrBeast” përfundon në gjykatë/ E padisin konkurrentët e lojës së famshme

publikuar nga user 6, ne #Lapsi.al. ora 00:00

YouTuber-i i famshëm “MrBeast” është paditur në gjykatë nga disa pjesëmarrës të lojës “Beast Games” që pretendojnë se janë "shfrytëzuar paturpësisht”. Seriali, që u njoftua për herë të parë në mars, u ofroi 1000 pjesëmarrësve mundësinë për të fituar një çmim në cash prej 5 milionë dollarësh duke premtuar të ishte shfaqja më e madhe e lojërave live në botë. Por në një padi të paraqitur në një gjykatë në Los Anxhelos, pjesëmarrësit pretendojnë se nuk ishin paguar, iu nënshtruan kushteve të pasigurta dhe përjetuan ngacmime seksuale.

Padia thotë se MrB2024 besohet se është në pronësi tërësisht ose pjesërisht, drejtpërdrejt ose tërthorazi nga MrBeast, emri i vërtetë i Jimmy Donaldson, i cili është YouTuber më i madh në botë me më shumë se 300 milionë abonentë. Kanë qenë 5 garues anonimë që kanë ngritur pretendime në emër të të gjithë atyre që kanë marrë pjesë.

Ata pretendojnë se ekipi i prodhimit i mbante nën vëzhgim, i kontrollonte kur flinin, çfarë vishnin dhe u mohoi privatësinë dhe aksesin në botën e jashtme. Ata thuhet se ishin "të paushqyer dhe tepër të lodhur” me ushqime të ofruara "në mënyrë sporadike dhe të rrallë”, gjë që ka "vënë në rrezik shëndetin dhe mirëqenien” e garuesve.

Dokumenti prej 54 faqesh detajon gjithashtu pretendimet për një mjedis të pasigurt për garuesit që u futën në zona të vogla, me grupe të rrezikshme dhe kontrolle të pamjaftueshme që lejuan edhe kriminelë të dënuar që të merrnin pjesë. Disa pretendojnë se ishin lënduar fizikisht dhe nuk iu dha aksesi i duhur në kujdesin mjekësor.

Në padi thuhet se shfaqja "ka nxitur një kulturë të mizogjinisë dhe seksizmit”, duke krijuar një "mjedis armiqësor” për gratë që përfshinte ngacmimet seksuale. “Kjo jo vetëm që u vu re, por u lejua”, thuhet në dokument. "Dhe me sa duket kjo u lejua për shkak të urdhrave nga lart.” Avokatët e konkurrentëve thanë se ata duhet të kompensohen për kohën e tyre duke argumentuar se ata "nuk po punonin falas” dhe duhej të ishin klasifikuar si punonjës.

Të gjithë pretenduesit kërkojnë mijëra dollarë për të gjithë ata që morën pjesë për të mbuluar "pagat e papaguara”. Dy nga pretenduesit e listuar që janë gra po kërkojnë gjithashtu kompensim të mëtejshëm për pretendimet për një vend pune armiqësor. Në fillim të këtij viti, MrBeast njoftoi se kishte punësuar hetues privatë për të shqyrtuar pretendimet se një bashkë-prezantues në kanalin e tij kishte ngacmuar një të mitur. Ava Kris Tyson u akuzua nga YouTuber të tjerë se i dërgoi mesazhe të papërshtatshme të miturës. Ajo mohoi akuzat.

MrBeast e largoi atë nga kanali dhe tha se ai "nuk falte ose mbështeste asnjë nga veprimet e papërshtatshme”. Amazon nuk ka pranuar të komentojë, ndërsa përfaqësuesit e MrBeast nuk i janë përgjigjur ende kërkesës për sqarime. ©LAPSI.al