... minut pas minuti

Banka Botërore: Libani, dëme prej 8.5 miliardë dollarësh nga lufta Izrael-Hezbollah

publikuar nga Suela Meno, ne #Euronews. ora 07:40

Banka Botërore ka thënë të enjten se lufta e tanishme mes Izraelit dhe Hezbollahut i ka shkaktuar Libanit dëme dhe humbje në vlerë 8.5 miliardë dollarë.

Sipas saj, shifrat përfundimtare do të jenë shumë më të larta pasi lufta është duke vazhduar.

I nxitur nga lufta në Gazë, konflikti në Liban u zhvillua për një vit rresht, para se Izraeli të ndërmerrte ofensivë të gjerë në shtator, duke e bombarduar Libanin nga ajri dhe duke dërguar trupa tokësore në jug të vendit.

Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

Libani përballet me humbje ekonomike prej 5.1 miliard dollarësh gjatë 12 muajve të fundit, kryesisht si pasojë e ndikimit të madh ndaj tregtisë, turizmit dhe bujqësisë.

Ndërsa, dëmet e drejtpërdrejta fizike në Liban arrijnë vlerën e së paku 3.4 miliard dollarëve, tha Banka Botërore pas Vlerësimit të Dëmeve dhe Humbjeve.

Analiza e Bankës Botërore parashikon që Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) real i Libanit do të tkurret për të paktën 5.7% në vitin 2024 për shkak të konfliktit, krahasuar me një rritje prej 0.9% në një skenar pa konflikt. Kjo është goditje e rëndë për një vend që ende po i ndien pasojat e një kolapsi financiar pesë vjet më parë.

“Kjo përkeqëson një tkurrjeje të thellë dhe të vazhdueshme pesëvjeçare ekonomike në Liban, që ka kaluar 34% të PBB-së reale, që është e barasvlershme me humbjen e rritjes ekonomike për 15 vjet”, tha Banka Botërore.

Sektori i banimit është ai me dëmin më të madh të raportuar, i vlerësuar të jetë 2.8 miliardë dollarë, me mbi 99.000 njësi banimi të dëmtuara pjesërisht ose plotësisht, sipas Bankës Botërore.

Bujqësia, e cila është prekur veçanërisht në rajonet jugore të Libanit, ka humbur mbi 1.1 miliard dollarë në një periudhë 12-mujore, për shkak të humbjes së të korrave nga shkatërrimi i prodhimit dhe bagëtive si dhe zhvendosja e bujqve, thuhet në raport.