... minut pas minuti

Zor se këtë shekull mund ta kurojmë plagën e Martinit

publikuar nga Java News, ne #JavaNews. ora 14:41

Nga Frrok Çupi

Çfarë të bëjmë?!

Do të na duhet të bëjmë sakrificën në nder të Perëndive, gjë që e kemi bërë në lashtësinë tonë. Ndryshe Martin Cani, nxënës 14 vjeç, që e vranë me thikë pardje në derën e shkollës në kryeqytet, do të kalojë me të tjerët. Mos them se të tjerët mund të vijnë pas tij, se ky do të ishte mallkim.

Është shumë e lehtë që Martinit t’i bëhen nderet si Perëndisë. Ky djalë tmerrësisht i adhurueshëm, nuk kishte asnjë zhibël në jetën e tij, e kjo e afron me Perënditë e kjo nuk na lë asnjë shkak që ne të grindemi mes veti se ‘e kishte një defekt’. Jo, nuk kishte.

A!, sa për fjalë… fjalë dhe psherëtima mund të lëshohen sa të duash, por nuk kanë vlerë. Ky është shekull i fjalëve dhe zor se do të mund ta shërojmë plagën që na krijoji vrasja e Martinit.

Na duhet vepër! A jemi të gatshëm që ta kryejmë veprën në këtë shekull?! Nuk quhet vepër qurravecja, as sharja e racës tënde si racë e dhunshme. Nuk quhet edhe të rrëmojmë nëpër ditët e shkuara e të sotme se si vranë dikë në fund të pallatit apo si rrëmbyen një vajzë në cepin tjetër. As tregimi i dhimbshëm se gjithë ata burra para shkollës e asnjëri nuk i dha një dorë Martinit duke dhënë shpirt. Këto veçse na ligështojnë e na mahisin plagën.

Na duhet vepër!, e këtë nuk po e  shikoj.

Sapo ndodhi ngjarja kur e vranë ‘perëndinë tonë romake’, Martinin, në moment u hapen të gjitha ekranet e televizioneve, ato që ishin e ato që nuk ishin. U nisën psikologë, juristë, komentatorë, gazetarë e dëshmitarë…, si të shkonin në ceremoni varrimi. Kush e kush të gjente fjalën më me helm. U tmerrova kur në dy a tre raste, teksa po prezantoheshin, kishin harruar ta fshihnin gëzimin pse ishin në ekran. As kaq maskë nuk bënë dot. Si mund të kryejnë vepër më të madhe? Është shekulli i ‘numrave’ dhe i ‘klikimeve’.

Pastaj kamerat u kthyen drejt turma njerëzish të magjepsur me idenë e topit. Me lojën e topit ishte rritur edhe Martini, derisa u bë një futbollist i një ekipi shumë të famshëm. Shqipëria do të luante futboll kundër Ukrainës në Arena Kombëtare. Të tre elementët ishin të denjë për të krijuar vepër: Martini, Arena, Ukraina në ditën 1000 të luftës! Elementi kryesor- Arena Kombëtare. Në atë çast duhej ndalur loja në nder të Martinit. Atëherë do të thuhej përjetë se ‘një shtet Shqipëria, ndali lojën me një shtet tjetër, në nder të  Martinit 14 vjeç’. Sa herë Roma e lashtë i nderoi Perënditë e veta përkundruall gjithë botës tjetër. Titulli ‘August’ iu dha Oktavianit në nderim të virtyteve të tij.

Dje mund të ishte shpallur zi për Kombin. Flasmuri të ishte ulur në gjysmën e shtizës edhe pa vendimin e shtetit. Nxënëset e shkollave dhe nënat dje mund të ishin veshur në të zeza, pa urdhër. Si në legjendat e vajzave të Krujës me rastin e vdekjes së Gjergj Kastriotit…. Do të ishte shënuar në ADN-në tonë se u krye vepra për Martinin. Duhet ta nisim me një shenjtor.

Ose të ishin mbyllur të gjitha aplikacionet ku manifestohet dhunë e ku bien pre ‘martirët’. (Martini e kishte emrin shumë afër kësaj të vërtete). Nëse dikush thotë se ‘nuk na lejon Europa’ të mbyllim si Snapchat a Tik Tok, atëherë kjo do të thotë se nuk jemi të gatshëm të kryejmë vepër në këtë shekull. Ne kemi provuar se e kemi bërë sakrificën në nder të Perëndive që në rrënjë të thella. Por kanë kaluar shumë shekuj e na janë vjetërsuar perënditë. Martini mund të përqafohej nga bota e qytetëruar mbarë.

Pa sakrificë? Vetëm me fjalë? E çë, atëherë!

Një shoqëri që nuk pranon të pësojë për t’u shëruar dhe për të vënë në vend hyjninë e vet, kjo shoqëri as shërohet dot as prosperon.