Për herë të parë, pas 7 protestash kombëtare, militantët e Sali Berishës kanë përfunduar në qeli pas sulmeve me molotovë ndaj institucioneve dhe efektivëve të policisë. 5 prej 11 protestuesve të arrestuar në protestën e 17 prillit u lanë në qeli nga gjyqtari Enkel Peza, masë e kërkuar për herë të parë edhe nga vetë Prokuroria e Tiranës. Vendimi i marrë nga gjyqtari Peza vjen pas provave që kishte në duar Gjykata për 5 prej protestuesve të arrestuar, të cilët pas strategjisë së re të ndjekur nga kryepolici Skënder Hita, u arrestuan në flagrancë dhe me molotovë në duar ndërsa sulmonin Kryeministrinë dhe vetë efektivët.
Pas hekurave janë lënë Klement Çuçka, 38 vjeç, Bujar Tusha, 29 vjeç, Henri Shapllo, 30 vjeç, Mirvet Toçilla 50 vjeç dhe Semi Bici 25 vjeç, të cilët akuzohen për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, ‘’Mbajtje pa leje te armeve shpërthyese dhe municionit. Të pestë e mohuan në seancë se janë përfshirë në sulme, por policët që ishin në terren kanë arritur t’i identifikojnë ndërsa po sulmonim me molotovë dhe në çantat e tyre gjetën edhe maska, e lëndët piroteknike. Ndër provat që policia ka përdorur kundër protestuesve, janë edhe pamjet me dron të Report Tv, që tregojnë momentin kur Kryeministria sulmohet me molotovë.
Për 6 të tjerë, Gjykata e Tiranës caktoi masën detyrim paraqitjeje, ndonëse organi i akuzës kishte kërkuar për arrest shtëpie për 2 prej tyre, Bardhyl Ndoun dhe Sokol Bajraktarin.
Në seancën që zgjati për gati 3 orë, avokatët e protestuesve, Marash Logu, Eda Grimci dhe Farnc Nuri kërkuan përjashtimin e gjyqtarit Peza me argumentin se ai dhe familjaret e tij kanë mbajtur funksione në strukturat lokale të PS në Kavajë. Kjo kërkesë u mor në shqyrtim dhe u rrëzua nga gjyqtari tjetër, Dritan Hallunaj.
Ndërkohë, PD ka paditur ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, kryepolicin Skënder Hita dhe gjithë zinxhirin drejtues të Policisë me argumentin, kanë drejtuar aksionin ndaj protestuesve të opozitës dhe kanë përdorur ndaj tyre spraj kundër ariut.
MASAT E CAKTUARA NGA GJYKATA
1-Klement Çuçka arrest me burg
2-Bujar Tusha, arrest me burg
3- Henri Shapllo arrest me burg
4-Mirvel Tocilla arrest me burg
5- Semi Bici “Arrest me burg”
6-Bardhyl Ndou “Detyrim per paraqitje ne policine gjyqesore”
7- Sokol Bajraktari “Detyrim per paraqitje ne policine gjyqesore”
8-Igball Domi, “Detyrim per paraqitje ne policine gjyqesore”
9-Gentjan Tuga “Detyrim per paraqitje ne policine gjyqesore
10- Ernest Kapo “Detyrim per paraqitje ne policine gjyqesore”
11- Edison Shyti “Detyrim per paraqitje ne policine gjyqesore”