VIDEO/ Askush nuk është mbi klubin! Tifozët e Realit vërshëllejnë Mbapenë, përplasen edhe me presidentin Perez
Reali i Madridit po përjeton një nga periudhat më të vështira në historinë e klubit. Përpos faktit se ky sezon përfundoi pa trofe, gjendja është rënduar më tepër prej konflikteve të brendshme mes lojtarëve dhe stafit drejtues. Pas sherrit Çuameni-Valverde, tashmë edhe Mbapeja ka ironizuar publikisht trajnerin Arbeloa.
Por tifozët e kanë bërë të qartë qendrimin e tyre: Askush nuk është mbi klubin. Ata kanë hapur mbrëmjen e djeshme një baner kundër presidentit Perez, të cilin gjithashtu e kanë vërshëllyer. Florentino Perezi ka shkëmbyer fjalë me disa prej tifozëve të pranishëm në tribuna si dhe ka urdhëruar heqjen e banerit.
Gjithashtu, tifozeria madrilene ka dalë edhe kundër yllit të skuadrës, Kilian Mbapesë. Ky i fundit u vërshëllye në kor në çastin që hyri në fushë si zëvendësues. Një veprim që kishte si qëllim ta zbriste francezin me këmbë në tokë, si për t’i kujtuar faktin se sado lojtar i madh të jetë, nuk e kalon dot madhështinë e fanellës që mban veshur. Me sa duket Realin e Madridit e pret një revolucion në sezonin e ardhshëm./Sport Ekspres/