Vllaznia rimerr fronin, mposhtin Flamurtarin dhe e mbyllin kampionatin e rregullt në vendin e parë
Vllaznia e ka mbyllur me fitore kampionatin e rregullt të “Abissnet Superiore”, duke triumfuar 2-0 ndaj Flamurtarit në stadiumin “Loro Boriçi”. Fitorja, e kombinuar me humbjen e Elbasanit ndaj Tiranës, i rikthen kuqeblutë në vendin e parë të renditjes me 63 pikë, duke siguruar edhe shpërblimin prej 10 milionë lekësh nga Federata Shqiptare e Futbollit për kryesimin e sezonit të rregullt.
Skuadra e drejtuar nga Edi Martini e nisi mirë takimin dhe gjeti avantazhin në minutën e 18-të me talentin Ara, i cili realizoi golin e parë me fanellën kuqeblu në elitën e futbollit shqiptar. Megjithatë, pavarësisht epërsisë, Vllaznia shfaqi pasiguri në repartin mbrojtës, duke i lejuar Flamurtarit të krijojë disa raste të pastra shënimi gjatë pjesës së parë.
Pjesa e dytë nisi me disa minuta vonesë për shkak të aktivizimit të sistemit të vaditjes së fushës, që u bë pengesë për rifillimin normal të lojës. Në minutën e 55-të erdhi edhe momenti më i bukur i ndeshjes, kur Murataj realizoi një supergol, duke e dërguar topin në rrjetë dhe duke vulosur rezultatin 2-0.
Edhe në pjesën e dytë kuqeblutë vijuan të shfaqnin luhatje në mbrojtje, por pa rrezikuar seriozisht rezultatin. Nga ana tjetër, Flamurtari, ndonëse tashmë i rënë nga kategoria, tregoi karakter dhe krijoi disa situata të rrezikshme në portën shkodrane.
Me këtë fitore, Vllaznia e mbyll kampionatin e rregullt në krye dhe tashmë bashkë me Elbasanin, Egnatian dhe Dinamo City bëhet gati për fazën “Final 4”, ku me përgjysmimin e pikëve do të përcaktohet edhe skuadra kampione e këtij sezoni në “Abissnet Superiore”.
Reagimet pas ndeshjes
Tekniku i kuqebluve Edi Martini në prononcimin e tij pas ndeshjes, pasi përgëzoi djemtë për arritjen u shpreh se ata kërkojnë përkrahje më të madhe.
Talenti shkodran Aris Ara jo vetëm i dha avantazhin Vllaznisë në pjesën e parë ndaj Flamurtarit por njëkohësisht ishte goli i parë për të në Kategorinë Superiore. Për mediat, ai u shpreh se golin ia dedikon gjyshit.
Trajneri i vlonjatëve, Andi Ribaj, u shpreh mbi të ardhmen e tij në drejtimin e Flamurtarit, të rënë një kategori më poshtë.
Reagimi i kryebashkiakut Benet Beci
Vendin e parë të Vllaznisë në përfundim të kampionatit të rregullt e ka përshëndetur edhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai e cilësoi fitoren ndaj Flamurtarit si shumë të rëndësishme në sprintin final të “Final 4”, duke theksuar se skuadra kuqeblu hyn në fazën vendimtare me besim dhe energji për të synuar titullin kampion.
Beci uroi ekipin, stafin teknik dhe tifozët për mbështetjen ndaj Vllaznisë, ndërsa e mbylli reagimin e tij me thirrjen: “Forca Vllaznia!”.
Një fitore shumë e rëndësishme për Vllazninë në sprintin final të “Final 4”!
Ekipi kuqeblu ngjitet në vendin e parë dhe hyn në fazën vendimtare të kampionatit me besim dhe energji për të synuar titullin kampion.
Urime ekipit, stafit dhe tifozëve fantastikë që janë gjithmonë pranë Vllaznisë!
Forca Vllaznia!

Një fitore shumë e rëndësishme për Vllazninë në sprintin final të “Final 4”!
