Zef Valentini, albanologu që nxori në dritë dokumentet më të rëndësishme të mesjetës shqiptare

Klerik jezuit, studiues i palodhur dhe një mik i madh i Shqipërisë, ai ia kushtoi jetën kërkimit shkencor dhe dokumentimit të historisë sonë, duke lënë pas një trashëgimi që vijon të mbetet themelore për albanologjinë.

Më 1 korrik 1900 lindi në Padova të Italisë Zef Valentini, një nga zërat kryesorë të albanologjisë. Klerik jezuit, i shkolluar në Romë për filozofi dhe teologji, ai e lidhi ngushtë jetën dhe veprimtarinë e tij me Shqipërinë, ku shërbeu nga viti 1922 deri në vitin 1943.

Si mësues dhe drejtor në Kolegjin Saverian të Shkodrës, Valentini përvetësoi shpejt gjuhën shqipe dhe u bë pjesë aktive e jetës kulturore të vendit. Ai drejtoi në Shkodër revistat “Leka” dhe “Lajmëtari i Zemrës së Jezu Krishtit”, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm përmes studimeve në fushën e historisë, gjuhësisë dhe të drejtës zakonore shqiptare. Ishte gjithashtu bashkëpunëtor i revistave të ndryshme kulturore italiane, si “Quaderni di Dante” (Fletoret e Dantes) dhe “Civiltà Cattolica” (Qytetërimi Katolik).

Edhe pas largimit nga Shqipëria në vitin 1943, ai e vijoi me pasion misionin e tij në Katedrën e Albanologjisë të Universitetit të Palermos, ku drejtoi Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare.

Kontributi më i vyer i tij mbetet vepra monumentale në 27 vëllime “Acta Albaniae Veneta saeculorum XIV et XV” (“Akte venedikase për Shqipërinë të shekujve XIV–XV”).

Kjo përmbledhje dokumentesh origjinale, e nxjerrë nga arkivat e Republikës së Venedikut, ofron dëshmi të dorës së parë për marrëdhëniet politike, diplomatike dhe ushtarake ndërmjet Venedikut dhe trojeve shqiptare gjatë shekujve XIV–XV. Dokumentet hedhin dritë gjithashtu mbi organizimin administrativ, jetën ekonomike e tregtare, veprimtarinë e familjeve fisnike shqiptare, si edhe mbi jetën shoqërore dhe institucionet e Shqipërisë gjatë periudhës mesjetare.

Zef Valentini u nda nga jeta më 16 nëntor 1979, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme për albanologjinë dhe kulturën shqiptare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *