minuti.al

... e reja e cdo minuti!

Avokat falas për familjet në nevojë, ndihmë juridikë në 20 zyra në vend

Për familjet dhe individët në nevojë, avokati është falas. Kjo mundësi ofrohet në zyrat e ndihmës juridike, kryesisht në zonat ku Gjykatat e Shkallës së parë janë mbyllur.

Nëse ndihma ligjore nuk do të ishte falas, këta qytetarë mund të shpenzonin deri në 100 mijë lekë për zgjidhjen e problemeve, të cilat lidhen në shkallë të gjerë edhe me dhunën dhe konfliktet e pronësisë.

“Çështjet administrative dhe civile janë ato që dominojnë më shumë”, shprehet Artur Murra nga qendra e shërbimit të ndihmës juridike parësore në Pukë.

“I ndihmojmë qytetarët që të përpilojnë kërkesa drejtuar edhe ASHK gjithashtu, që t’i vendosim në lëvizje dhe bëjmë këtë procesin e përfundimit të kalimit të pronave”, shprehet Xhenjola Sulejmani nga qendra e shërbimit të ndihmës juridike parësore në Shkodër.

Në të gjithë vendin ka 20 qendra të ndihmës juridike falas, nga të cilat më shumë se gjysmat janë ngritur në  bashkëpunim mes Ministrisë së Drejtësisë, UNDP-së dhe qeverisë austriake.

“Nga 20 qendra që janë sot, 14 financohen nga buxheti i shtetit, por me fillimin e 2025 është parashikuar që të jenë pjesë e organikës së drejtorisë ndihmës juridike falas”, thotë Ergys Qirici, drejtor i ndihmës juridike falas në Ministrinë e Drejtësisë.

Nga viti 2019, kur u aplikua projekti e deri më sot, më shumë se 10 mijë qytetarë kanë përfituar shërbim juridik falas.