... minut pas minuti

Ndarja nga jeta e Gerti Bogdanit/ Gogu: Largimi i shokut tonë, shokues. Daci: Klasës politike do t’i mungojë një model qytetarie

publikuar nga Xhen Sila, ne #ABC News. ora 20:15

Ndarja nga jeta e ish deputetit demokrat, Gerti Bogdani solli reagime nga rradhët e politikës. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Toni Gogu tha se është një ditë e trishtë për të gjithë. Në emisionin "Real Story”, Gogu u shpreh se "Gerti e jetoi jetën shumë bukur, por fatkeqësisht u largua para kohe”.

“Largimi i zotit Bogdani, apo Gerti, shokut tonë është shokues. Do t’i bashkohesha lutjes tënde në këtë moment se ka shumë dhimbje. Dua t`i ngushëlloj familjen, bashkëshorten që është një moment sprove, fëmijët, prindërit. Nga ana tjetër, ne do t`i ruajmë si bekime bisedat me Gertin sepse ishte modeli i qytetarit. Unë nuk kam ndarë me të të njëjtat mendime dhe qasje, kemi debatuar por kur takoheshim te oborri i shkollës së fëmijëve, ishte një prind dhe bashkëshort i shkëlqyer. Besimtar dhe anëtar shumë aktiv i grupit të lutjes në parlament për të sjellë ndryshim shoqëror. Vërtet një dritë shumë e trishtë. Gerti e jetoi jetën e tij shumë bukur, por fatkeqësisht u largua para kohe.”, tha ai.

Ndërsa juristi Jordan Daci shtoi se klasës politike do t`i mungojë një model qytetarie si Gerti Bogdani.

"Kemi qenë miq dhe me Gertin dhe me të vëllain. Është humbje e madhe dhe përtej familjes së Gertit, që do t`i mungojë babai, mendoj se edhe klasës politike dhe të djathtës do t`i mungojë një model qytetarie ndryshe nga ajo që kemi me shumicë por që s`ia vlen një lekë.", tha Daci./abcnews.al