... minut pas minuti

RIKTHEHET LIGA E KAMPIONËVE: FORMAT I RI, EMOCIONE TË REJA!

publikuar nga Ali Rexha, ne #Magazina 4U. ora 11:53

Liga e Kampionëve të UEFA, gara më e madhe e futbollit për klube në botë, sot rikthehet me edicionin e saj më të ri. Ky edicion pritet që të jetë më emocionues së kurrë më parë pasi që ai vjen në një format tërësisht të ri, i cili synon që të rritë konkurrencën dhe emocionet si për tifozët edhe për lojtarët. Ndërsa klubet kryesore të botës po përgatiten për turneun më prestigjioz në futbollin evropian, le të shohim se çka e bën këtë sezon unik.

Çfarë sjell formati i ri?

Në një përpjekje për ta bërë garën më dinamike dhe gjithëpërfshirëse, UEFA ka prezantuar ndryshime të rëndësishme në strukturën e turneut:

Faza e ligës në vend të fazës së grupeve: Pa dyshim, dallimi më i madh në këtë edicion është shtimi i numrit të skuadrave pjesëmarrëse nga 32 në 36, si dhe zëvendësimi i fazës së grupeve me atë që njihet si faza e ligës. Ky zgjerim lejon më shumë diversitet dhe përfshirje të ekipeve nga një gamë më e gjerë vendesh.

Formati i stilit zviceran: Sistemi i ri i garimit do të bazohet në sistemin e shfrytëzuar në turnetë e shahut, i cili njihet ndryshe edhe si sistemi zviceran. Në këtë sistem të gjitha ekipet janë në një grup. Përmes shortit tashmë të hedhur, secili ekip do t’i luaj tetë ndeshje kundër tetë kundërshtarëve të ndryshëm, katër si nikoqir dhe katër si mysafir.

Mënyra e re e kualifikimit: Tetë skuadrat më të mira nga faza e ligës do të kalojnë automatikisht në raundin e gjashtëmbëdhjetë skuadrave më të mira, kur edhe fillojnë ndeshjet me eliminim të drejtpërdrejt. Skuadrat e renditura nga vendi i nëntë deri në vendin e njëzetekatër do të garojnë për tetë vendet e mbetura në një “mini playoff” me dy ndeshje.

Më shumë ndeshje, më shumë argëtim: Ky format siguron që çdo ekip të luajë më shumë ndeshje, duke u dhënë tifozëve më shumë aksion dhe klubeve më shumë mundësi për të shfaqur talentin e tyre.

Pse ndryshimi?

Objektivi i UEFA-s me këtë format të ri është të përmirësojë ekuilibrin konkurrues dhe të ofrojë përmbajtje më tërheqëse për tifozët. Sistemi zviceran do të thotë që skuadrat do të përballen me një sërë kundërshtarësh, duke u siguruar që asnjë rrugë drejt fazës së eliminimit të mos jetë e njëjta, si dhe për të shmangur numrin e madh të ndeshjeve të mërzitshme nga formati i mëparshëm kur pothuajse gjithmonë që në fillim dihej se cilat ekipe do të kalonin në fazën e eliminimit të drejtpërdrejtë. Kjo paparashikueshmëri pritet që të shtojë një shtresë shtesë të emocioneve në çdo ditë ndeshjeje.

Shqetësimet për rritjen e numrit të ndeshjeve

Përkundër pritjeve të mëdha nga emocionet që do t’i dhurojë formati dhe sistemi i ri i garimit, shumë figura me peshë në botën e futbollit tashmë e kanë tërhequr vërejtjen për shtimin e numrit të ndeshjeve. Sipas tyre, kjo mund të çojë në lodhjen e lojtarëve gjë që e shton rrezikun për lëndimin e tyre. Për këtë arsye, si klubet ashtu edhe lojtarët do të duhet të menaxhojnë oraret e tyre deri në detajet më të imëta për të mbajtur performancën maksimale përgjatë tërë sezonit.

Klubet më të mira të botës janë gati për të nisur rrugëtimin e tyre në garën e ashpër për lavdinë më të çmuar në futbollin evropian. Pavarësisht nëse jeni një tifoz i kahmotshëm apo nëse ky do të jetë edicioni i parë i Ligës së Kampionëve që do ta përcillni, një gjë është e sigurt: ky sezon premton momente të paharrueshme dhe dramë të madhe.

Datat kryesore për t`u mbajtur mend

Fillimi i fazës së ligës: 17 shtator 2024

Ndeshja finale e fazës së ligës: 29 janar 2025

Ndeshjet e playoff: shkurt 2025

Faza finale: Mars – Prill – Maj 2025

Finalja e Ligës së Kampionëve: 31 maj 2025