... minut pas minuti

“Xhaçka”/ Juristi Daci: Kushtetuesja ka pushtet urdhërues. Gogu: Është çështje teknike, e kemi respektuar

publikuar nga Re Nato, ne #ABC News. ora 21:08

Juristi Jordan Daci thotë se Gjykata Kushtetuese jka pushtet urdhërues ndaj Kuvendit, lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka.

Në emisionin "Real Story” në ABC News, Daci u shpreh se Gjykata Kushtetuese ka të drejtë të urdhërojë që pushteti ligjvënës të mos krijojë imunitet ndaj vetvetes për shkeljen kushtetuese.

Ndërsa Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Toni Gogu deklaroi se kjo është një çështje teknike. Sipas tij, mazhoranca e ka respektuar Gjykatën Kushtetuese si institucion.

Jordan Daci: Funksioni i parë i një ligjvënësi, është ligjvënia. T`i thuash deputetit mos voto një ligj, kjo është e padiskutueshme që nuk lejohet. A ka pushtet urdhërues Gjykata Kushtetuese edhe ndaj Kuvendit dhe ndaj deputetëve? Padyshim që po. Në cilat raste është ky pushtet urdhërues? Mendoj që në rastin konkret, në kuadër të ekuilibrave kushtetues, Gjykata Kushtetuese ka të drejtë të urdhërojë që pushteti ligjvënës të mos krijojë imunitet ndaj vetvetes për shkeljen kushtetuese. Në rastin konkret, edhe pse mund të duket si lloj diktimi për votën, ajo është pushtet urdhërues, detyrues që duhet t`i bindet. Jo çdo funksion i një deputeti është i pakufizueshëm, ndryshe nuk do të kishte koncept. Ka pushtet urdhërues Gjykata Kushtetues.

Toni Gogu: Jo të gjithë deputetët janë konstitucionalist. Deputeti e di që votën nuk ia imponon askush. Ky interpretim është për herë të parë. Kuvendi nuk e ka ezauruar pushtetin e tij për të vendosur. Ne nuk kemi vendosur ende. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mënyrën sesi voton. Gjykata Kushtetuese, partnerët tanë strategjikë. por mbi të gjitha votuesit shqiptarë, duhet të jenë të qartë, që shumica socialiste e ka Gjykatën Kushtetuese, siç thotë populli, në majë të kokës. E kemi zbatuar, respektuar, e kemi nderuar. Me këtë debat nderojmë demokracinë shqiptare, duke e bërë si debat. Gjykata Kushtetuese është në të drejtën e vet në atë që bën, është çështje teknike. Është çështje teknike që po ndodh për herë të parë në demokraci./abcnews.al