... minut pas minuti

Xhevair Lleshi: Shoqëria e spektaklit dhe libri

publikuar nga ExLibris, ne #ExLibris. ora 16:54

E qartë, do të qe më mirë të jepnim një panoramë pak më të gjerë të shfaqjes në treg (duke sunduar) të shoqërisë së spektaklit, thelbit të saj, karakterit që bart dhe lëvizjes kulturore, tiparet e saj dhe faktit pse kjo shoqëri nuk e do kulturën dhe për më tepër librin. Shoqëria shqiptare sot është futur në binarët e shoqërisë së spektaklit, jo me dashjen e saj, por si rrjedhojë e një diktati shtetëror, planit të pabesueshëm të qeverisë për të ecur në këtë linjë dhe për të sunduar nëpërmjet paraqitjes së rremë të realitetit, nëpërmjet tiranisë shkëlqimtare të mediave, bazuar tek lustra, e bukura, forma e jashtme, ngjyrat, entuziazmi – ndonëse sa për sy e faqe dhe krejt bosh. Vetëm atëherë mund të hyjmë në temën e librit dhe marrëdhëniet e kota, të dobëta edhe kur krijohen dhe në fund ato janë vendosur gjithmonë përpara zjarrit.

Një nga kënaqësitë e shoqërisë së spektaklit (e shoqërisë socialiste në tërësi, por mbi bazën e pronës së re të krijuar prej grabitjes – prona pa prejardhje, e pasigurt dhe e ngritur pa baza ideologjike [pra pa ideologji!] dhe të fryrë kot së koti) ka qenë të zhvishet përpara pasqyrës së vetë shoqërisë, ku ajo mund ta shohë veten nga koka te këmbët. Nudo. Edhe po të jetë e veshur i rrëzon të gjitha rrobat përtokë, pastaj, cullak, harrohet për një kohë të gjatë, duke soditur e mrekulluar trupin e vet. Kjo kënaqësi i kthehet në një pasion aq sa, bie në ekstazë prej pamjes së saj të lakmueshme e sidomos për atë vijën e butë të formave të trupit, që e bëjnë edhe serioze, edhe të vëmendshme, edhe të zhytur në dashuri me vetveten. Kaq do të mjaftonte të kuptonim se shoqëria e spektaklit është narciste, ndonëse shfaqet krejt e përhumbur, ndërsa ajo as kokën nuk e lëviz për të parë nga vjen e ku shkon…

Në formë të përmbledhur Guy Debord e jep në këtë formë thelbin e Shoqërisë së Spektaklit: “Spektakli është fjalim i pandërprerë… një monolog vetëlavdërimi, që sistemi i tanishëm bën mbi vetveten.”

Nëse gjithë shoqëria bën këtë çdo sekondë, nëpërmjet mediave, punës zyrtare, analizave të munguara, mosdhënies llogari para zgjedhësve që i kanë prurë të pushtet, nëpërmjet manipulimit total të zgjedhjeve dhe gjithë sistemit shoqëror në tërësi, atëherë kemi një sistem shoqëror të tërë që luan me paraqitjen, ngjyrat, bojërat, vijat, format që e bëjnë një objekt ose një tërësi të tyre në forma mahnitëse, të bukur, të pëlqyeshme, që të krijon iluzionin se ashtu qenka. Pra pa bërë asnjë punë, pa krijuar asgjë, thua se ajo ekziston, saqë edhe kur bën… një vezë, thua se qenka përmbysur dynjaja, prej kësaj vepre.

E gjithë shoqëria bën sikur habitet me gjoja të nxehurën e saj. Këtë gjë ajo e bën edhe për qejfin e saj, por sidomos për të tjerët. Si të thuash duke dashur që të shihet sa më mirë në pasqyrë, ajo ndez dritat gjithandej, bën lojën sikur ha inat, sikur ka nerv, por, pasi lë t’i rrëshqasë këmisha në fund të këmbëve, ajo ndalet papritmas, “e shqetësuar” për një çast, me disa pyetje njëherësh që mezi ia mbajnë buzët. E qeshura e të gjithëve, dihet, i shungullon në kujtesë, atë s’e lë të qetë asnjë pikë dyshimi. Shpifja – gjë e zakonshme… Edhe zbukurimi, eleganca, kostumet dhe prerjet e reja, paraqitja tri-katër dhe pesë dimensionale, në lëvizje, si një kurth i skajshëm që në të vërtetë e mban në këmbë. Madje duke krijuar idenë se këto në vetvete janë edhe shtyllat e hakmarrjes.

Shoqërinë e spektaklit e ngre në këmbë politika për interesat e saj, që, duke “punuar”, e rivret njeriun duke premtuar ringjalljen. Por mos harroni se me këtë skenar të tmerrshëm, pa lëvizur asnjë pejzë në fytyrë, mashtrojnë duke kërkuar që armën t’ua japim ne, populli, sepse nesër, në fjalimet e gjata kjo ka për të qenë esenca e gjithë premtimit madhështor, dogma, opiumi, përndryshe askush s’mund të thotë dot një fjalë, ndërkohë që edhe nuk derdh dot asnjë pikë loti. Madje edhe po të kujtohet për të qenë në rreshtin e parë të protestës, duket sheshit që shpirti i tij është tharë, është bërë eshkë. Përfytyroni: një shoqëri e tërë e bërë në

këtë gjendje. Njëlloj sikur t’ia kërkosh nervin kufomës që edhe një puhizë të fryjë e shemb, madje e asgjëson. Edhe librat e shkruar janë të tillë, si jeta vetë, si personazhet që përshkruajnë. Por librat e marrin sërish fjalën duke u shtirur si indiferentë. Madje edhe të pyesin: Hë, pra, i dashur, cili është mendimi yt? Kështu që edhe politika, edhe libri, teksa prekin nervin e dhimbjes, nuk arrijnë ta përcjellin këtë te njeriu, pensionisti, punëtori i krahut, intelektuali, polici, ushtari, peshkatari, bujku, ndërtuesi…

E gjithë shoqëria, pa lënë pas dore gjë prej gjëje, edhe ajo e jona e spektaklit të manipuluar më rëndshëm se kudo tjetër, qëndron ashtu, krejt lakuriq. Shoqëria e spektaklit në një libër është historia e një prostitute që rrjedh nga prindër pijanecë, me gjak të përzier me një trashëgimi të thatë mjerimi dhe alkooli, që, në rastin e saj, ka marrë trajtën e një ekzagjerimi apo çrregullimi nervor, të instinktit të saj seksual. Mos harroni ajo është shtatlartë, e bukur, me një trup perfekt, që urren të lypurit dhe përbuzjen, ndonëse prodhim final i të cilave është edhe vetë. Dhe nënkuptohet që e gjithë kjo kalbësirë sociale, lihet të fermentohet në popull, si qelizë që kalb krejt shoqërinë. Dhe mos harroni kurrë, e gjithë kjo arrin të bëhet një forcë e natyrës, një ferment shkatërrimi, pa e dashur vetë, diçka thelbësisht korruptuese, duke çorientuar e çorganizuar rininë, së cilës ia ka futur hidhërimin në gjak dhe e sjell rrotull vetes… Madje kthehet në një shëmbëlltyrë.

Shoqëria jonë e spektaklit e gjen krahasimin me atë të mizës, një mizë ngjyrë dielli, e rritur nëpër plehra, një mizë që merr vdekjen nga kërmat përgjatë rrugëve, dhe, zukatëse, kërcyese, duke hedhur një vezullim gurësh të çmuar, helmon burrat dhe gratë thjesht duke qëndruar mbi ta, duke hyrë nëpër pallate nëpërmjet dritareve.

Pastaj shoqëria vetë, edhe e trembur pse jo, ngre kokën, sytë të fiksuar, duke vështruar zjarrin. Po zjarrin kush e shpiku, të paktën kush e solli?…

Askush nuk jep një përgjigje. Duket se do që ta lexojë edhe njëherë vetë këtë farë krijimi. Dhe me siguri një ndjesi të ftohti i kalon nga koka te shpatullat. Kjo paraqitje sociale, edhe si thelb i shoqërisë, edhe si përmbajtje libri, nuk është shkruar për t’u kthyer në vlerë, apo për t’u hedhur në plehra, për të qenë e vërteta njerëzore që e përdor njeriun si kukull, po prej djallit vetë, me marifete frazash, një vërshim fjalësh të papritura dhe përherë ekstravagante. Megjithatë, djalli, strumbullari i shoqërisë, prijësi, qëndron i mbërthyer prej asaj që sapo lexon, papritmas, zgjon brenda tij gjithçka që ai ashtu ka dashur të jetë. Mendo vetëm kaq: shteti vetë nuk paguan energji elektrike në të gjitha institucionet e tij dhe fut në burg një njeri që jeton me mjete fare minimale, i uritur, pse ka përdorur pa pagesë energjinë elektrike… Shëmti e gjallë, e mbuluar me drita verbuese të energjisë së vjedhur nga vetë shoqëria e spektaklit.

Atëherë, vetë shoqëria (aty është edhe libri, doemos, në të gjitha format e tij!) ngre sytë. Gjithçka vazhdon të jetë e zhytur në adhurimin e vetvetes, përpara pasqyrës. Për të qeshur e për të qarë, shoqëria anon qafën, për të parë më mirë një njollë të vogël, të errët, sipër gjinjve të saj të fryrë, në të djathtë ose në të mëngjër dhe e prek me majën e gishtit. Pa dyshim vetë shoqërisë sonë të spektaklit kjo shenjë i duket e këndshme dhe e bukur, në atë vend.

Pastaj zë e studion pjesët e tjera të trupit të saj, e kënaqur, e rrëmbyer nga kureshtja, si vesi i mahnitshëm i një fëmije. Kjo e çudit gjithmonë e më tepër, duke përftuar kësisoj pamjen e hutuar, tronditëse të një vajze që zbulon pubertetin e saj. Me ngadalë hap krahët për të mbështjellë trupin prej perëndeshe plot shkëlqime, përkul shtatin, për të vrojtuar përpara dhe prapa, duke u ndalur në profil për të parë nga ai pozicion gjoksin dhe trupin. Dhe e përfundon kënaqësinë e saj me një lojë të çuditshme, duke tundur majtas e djathtas gjunjët, trupi që rrotullohej nga beli e lart, me fërgëllimat e vazhdueshme të një valltareje orientale që kërcen vallen e barkut. Pak a shumë kjo është ajo që themi: pika tërheqëse e shoqërisë së spektaklit të verbon, të tërheq, të bën për vete dhe, dhimbshëm, i heq nervin gjithë shoqërisë, e bën atë as acaruese dhe as kundërshtuese. E kthen në hutim të gjallë, të nënshtruar me gjithsej.

Kur je duke e vështruar thelbin e shoqërisë së spektaklit, e sodit: ajo të fut frikën. Duket se çfarë kishe në duar nuk e ke më, je kthyer në pjesë të shoqërisë edhe ti vetë, madje e merr me të qeshur teksa vë re se e gjitha që zotëroje (temperamenti, karakteri, cilësitë e personalitetit) të kanë rrëshqitur nga dora. Në atë çast shikon edhe njëherë veten ashtu siç është dhe ajo i pështiroset. Ja si erdhën punët: brenda kaq pak vitesh, spektakli (paraqitja e shtrembëruar, duke e jashtëzakonshme si iluzion), ia ka bastarduar jetën dhe tani ndihet e prishur dhe e zvetënuar deri në palcë prej atyre pisllëqeve që as do t’i kishte menduar ndonjëherë më parë. Gjithçka duket se është e destinuar të kalbet brenda vetes, në këto momente, madje duke zaptuar çdo qelizë jetëdhënëse.

Spektakli, si thelb i shoqërisë, përfton ndonjë çast kthjellimi të ndërgjegjes për ta parë të keqen në sy dhe vë re çrregullimin që ka sjellë ky fermentim: ai qenka helmuar, gjithçka që e rrethon është shkatërruar (ka mbetur gjallë vetëm brohorima dhe më tej oshtima e saj!), një pozicion shoqëror që thyhet e vithiset. Dhe, pa mundur t’i shkëpusë sytë prej lakuriqësisë së vetë dhe të krejt shoqërisë, spektakli e vështron ngultas, përpiqet ta imponojë veten që të mbushet me neveri qoftë edhe për lakuriqësinë e shfaqur në atë farë feje.

Shoqëria e spektaklit, sidomos kjo jona, dihet që ajo sundon botën, bën edhe pushimet e ndërmjetme, çlodhet. Dhe duket sikur nuk lëviz më. Por ai që vëren e sheh qartë se ajo, me njërin krah prapa, te zverku, njëra dorë kap tjetrën, ngre lart kokën, me bërrylat larguar nga njëri-tjetri. Dhe sheh sytë e saj gjysmë të mbyllur, gojën pak të hapur, fytyrën e kredhur në një qeshje (shpesh edhe përqeshje!) dashurore; kurse, nga pas, masa e madhe e flokëve të verdhë e të përhapur, ia mbulon kurrizin si me një krifë luaneshe. E përkulur dhe me ije të tendosura, ajo ngjan me mbretëreshat amazona, me një gjoks të fortë prej luftëtareje, me muskuj të fuqishëm nën lëkurën e butë. Pastaj, një linjë e hollë e delikate, me një valëzim të butë zbret nga shpatullat, te gjoksi, te kofshët e deri poshtë te këmbët. Dhe pas këtij pushimi çlodhës merr formë përshtypja e lënë pas. S’prish punë premtimi. Fol. Gri sallatë. Mposht edhe veten. Bëj ironi sa të duash. Ngjitu edhe në degët e sarkazmës, puthe me to, jargavite, shpik të tjera hile, ose edhe “llafe bufi – xha Isufi!”. S’prishet punë! Çdo gjë çon ujë në mullirin e tij. Populli pa pikën e nervit argëtohet. Madje spektakli sapo tha se bibliotekat ka kudo tek ne! Por ne e dimë të gjithë se e vërteta e një shoqërie të shëndoshë sociale është e fshehur tek bibliotekat…

Mirëpo kushdo prej nesh ndjek këtë profil kaq të bukur, ato linja të trupit që kthehen në rreze të praruara, ato forma të rrumbullta ku flaka e brydhët hedh reflekse mëndafshi.

Ndaj dhe sjell ndër mend frikën e tij të vjetër për gruan, për llojin e librit që mban kurdoherë me vete, epshndjellëse dhe të egër, njëkohësisht. “Mos kujtoni se do të shpëtoni nga librat”, nga Zhan-Klod Karrier & Umberto Eko. Dhe njeriu përplaset keq me vetveten.

Vetëkuptohet që gjithçka është e dukshme te çdo gjë intime, që merr papritur forcë dhe energji, në gjithë fryrjet masakruese e të thelluara prej lugjeve të thella, që i japin misterin tronditës e sugjestionues, në gjithë vagëllimin e tyre. Kjo është edhe e pavetëdijshme si forcë, që vetëm me aromën e saj shkatërron botën. I ngarkuari me punë, domethënë pushteti, vështron i fiksuar, i turbulluar, gjersa mbyll qepallat, që të mos shohë më, as edhe hijen e librave, ndonëse pak më parë ka ulëritur fort e fort për ekzistencën e bibliotekave! Mos vallë e ka zënë turpi? Mirëpo të gjithë e dinë se shoqëria e spektaklit zotëron mjeshtërinë e kurvës, një pushtet i hatashëm mbi të bukurën dhe një sugjestionim shkatërrues. Përsëri del pambarimisht në thellësinë e hijeve të ekzistencës, më e madhe, më e tmerrshme, më sugjestionuese në qëndrimin e saj dhe kushdo e kupton qartë se tani është aty, përpara syve të të tu me gjithë trupin e saj, përgjithmonë. S’ka më turp, madje është turp që të kesh turp!

Shoqëria e spektaklit kruspulloset në vetvete. Një fërgëllimë dhembshurie duket se ka kaluar nëpër gjymtyrët e saj. Sytë i ka të lagur, ajo mblidhet e zvogëlohet, si për t’u ndier më mirë ashtu. Pastaj, i lëshon duart, duke i rrëshqitur lehtazi gjatë trupit deri tek gjinjtë, të cilët i shtyp me një shtrëngim nervoz. Pastaj tretet në një vetë-përkëdhelje, të të gjithë trupit të saj, e kënaqur, njëherë më faqen e majtë, pastaj në të djathtën. Goja e saj epshore fryn mbi gjymtyrë vetëm dëshirë, epsh. S’duron dot, zgjat buzët dhe puth veten gjatë në zonën e gjoksit, duke i qeshur pasqyrimit, me një vetëlavdërim të hatashëm, po ashtu edhe me një vetëpëlqim që të eksiton, të çon drejt orgazmës sociale!

Atëherë, edhe ti i dashur lexues, e ndien që shoqëria e spektaklit psherëtin ngadalë, gjatë. Kjo kënaqësi vetëm sa ia merr shpirtin. Papritur, të gjitha zgjidhjet që janë menduar, qenë rrëmbyer e flakur jashtë nesh, si nga një erë e fortë. Vrulli i një pasioni të paparë, të egër, bën që të kërcejë dhe të sulet drejt vetvetes, e mbërthyer dhe e shtrënguar në gjoksin e vet dhe shtrihet në tapet.

Po lëndohet! Nën një hënë e zbehtë, nëpër drurët e vdekur dhe eshtrave të tyre shoqëria e spektaklit shkruan dramën e kohës, këngën e siemrit të saj që zbret si limfë e derdhur ajrit, duke hyrë në shpirt dhe në shpërfillje të plotë të dëgjimit.

Thirrja jote e brendshme se me jetë na kanë mashtruar dhe se pa jetë janë duke na lënë, është e ndërgjegjshme edhe për disfatën, edhe për shkatërrimin e vërtetë të njeriut, të gjithçkaje që të paktën e zotëronte si pjesë përbërëse të qenies. Kushdo prej nesh e shikon në të marrëzinë, hipokrizinë, poshtërsinë dhe gënjeshtrën, por prapë e do, edhe pse është e helmuar. Në një farë mënyre sikur ia largon vuajtjen, e bën me një personalitet të përkohshëm… Sidoqoftë, herë-herë duket se e mbledh veten. Kupton. Analizon. Përtypet. Ripërtypet. Dhe përsëri prej masakrës së mediave bie sërish nën këtë efekt turbullues. Të vërtetat të trembin. Të gënjeshtërtat të joshin…

Kur të pyesin pastaj për thelbin e asaj që ndodh rreth e qark përgjigjet turbull-turbull, ngaqë s’ta ka qejfi që të ndodhë ndonjë skenë e pakëndshme, pikërisht tani. Skenat e pakëndshme të protestave? Ulërimat! Thirrjet! Nga ana tjetër, ia pohon vetes se ia di edhe ndonjë pikë të dobët të shoqërisë së spektaklit. Pas kësaj, bie një heshtje e gjatë mes nesh, gjatë së cilës vrasim mendjen sesi ta heqim qafe këtë kalbësirë, me pamje verbuese. Edhe pse duket e fortë dhe e lakmuar, ajo s’ka fare rrënjë, është kërpudhë. Por ama gjithçka e ka të bukur. Ngashënjim që duket se të vjen vetëm një herë në jetë. Diçka që të tremb, po edhe të bën për vete… Pa fare filozofi, pa përmbajtje, pa kërkime të thella, por gjithnjë elegante, pipëlimë vese, energji e shtrembëruar, pataksëse, e tmerrshme. Askush s’do të shprehë dëshirë dhe urrejtje që ka jetuar në Shqipëri në shoqërinë e spektaklit. Me dhe pa jetë. Me dhe pa libra…

Tiranë, më 11 shtator 2024