... minut pas minuti

Shefkije Islamaj: Lexim letrar, gjuhësor e stilistik i romanit “Një dashuri dhe shtatë faje” të Rexhep Qosjes

publikuar nga ExLibris, ne #ExLibris. ora 21:24

Romani “Një dashuri dhe shtatë faje” i Rexhep Qosjes dallon nga romanet që janë shkruar dhe që shkruhen në letërsinë e sotme shqipe, Ai paraqet një çintegrim të romanit klasik. Autori ka shfrytëzuar diskurse të ndryshme. Romani mund të quhet një lloj i romanit të ri historik, madje edhe roman psikologjik, por ai mund të quhet edhe roman poetiko-simbolik: paraqitjet poetike i fshijnë kufijtë midis dy anëve të rrëfimit simbolik, në të cilit shkrihen historia, ideologjia totalitare, përsiatjet metafizike brenda shtresës poetike.

Romani “Një dashuri dhe shtatë faje” ka temë të veçantë, rrëfim të veçantë dhe gjuhë të veçantë. Duke pasur parasysh shtresën motivore e tematike, objektin në tërësi dhe shtresën semantike e simbolike, ai mund të quhet roman polifon. Të tillë e bën shumështresësia tematike dhe shumëkuptimësia në rrafshe të ndryshme. Me shumështresësinë tematike kam parasysh shtresën e dukshme, shfaqëse, shtresën me aluzione e simbole, fshehëse dhe shtresën thelbësore, që ka të bëjë me procesin e krijimit, me njohuritë e idetë, lëvizjen e pikëvështrimit të autorit prej njërit personazh te personazhi tjetër, me pranëvënien e zërave të së tashmes e të zërave të së kaluarës. Romani trajton ngjarje të rëndësishme të një periudhe të rëndësishme në jetën e shqiptarëve të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi – ngjarjet e mirënjohura të vitit 1981, të shikuara në prizmin e fatit të intelektualit të quajtur Çerem Çapari. Në të vërtetë në roman nuk paraqitet vetëm drama e një intelektuali, e një njeriu, me bindje e parime të qëndrueshme jetësore, por edhe drama e shumë intelektualëve dhe njerëzve në një kohë tipike për shoqëritë komuniste.

Përpjekja që të kuptohet e të shpjegohet ana artistike e veprës letrare, siç dihet, nuk mund të kufizohet vetëm në hetimin e ideve dhe të mesazheve të saj, por duhet të drejtohet edhe kah ato elemente që përbëjnë mënyrën e rrëfimit dhe mënyrën e bartjes së ideve dhe mesazheve, pra duhet të drejtohet kah hetimi i stilit dhe gjuhës, Prandaj, rruga për ta kuptuar më mirë veprën letrare duhet të drejtohet edhe kah hetimi i gjuhës dhe i stilit.Shkrimtari ka zgjedhur procede interesante dhe me ngjyrë shumë individualizuese, vetjake dhe origjinale. Individualizuese e bën ritmi i veçantë gjuhësor, vetjake e bën sintaksa e veçantë, madje edhe fjalori i veçantë, origjinale e bën figuracioni i veçantë. Me ritmin, sintaksën, fjalorin dhe figuracionin, vepra krijon vlera të qëndrueshme gjuhësore-artistike.

Romani është ndërtuar mbi një lëndë shumë të pasur jetësore e intelektuale, lëndë që e ka burimin në përvojën personale të shkrimtarit, në erudicionin e tij kulturor dhe në faktet historike e sociale. Dhe kjo pasuri e larmi përmbajtjesore, kjo përvojë e pasur intelektuale e njerëzore, kjo shumësi të dhënash kulturore, historike e shoqërore, ka kërkuar një gjuhë të pasur me shumëkuptimësi, një gjuhë shumë të pasur edhe nga ana formale e strukturore, ka kërkuar një gjuhë të veçantë.

Sistemi i pasur i figurshmërisë në nivelin leksikor, frazeologjik dhe sintaksor është i veçantë. Leksemat figurative, thëniet figurative, fjalitë me kuptim të theksuar figurativ, janë kategori të veçanta në shprehjen gjuhësore të autorit. Ato ka mundur t’i krijojë vetëm artisti me ndjenjën për ritëm, metaforë e simbolikë, artisti që u nënshtrohet plotësisht fjalës e shprehjes së vërtetë poetike dhe gjurmuesi që arrin të depërtojë në fshehtësitë e fjalës e të shprehjes poetike dhe në shprehësitë që ofron tingulli. “Sa më i pakapshëm dhe më i paqartë simboli, aq më shumë fiton në kuptim dhe në fuqi“, na e thotë Umberto Eko[1].

Roman polihistorik

Romani“Një dashuri dhe shtatë faje” mund të quhet roman polihistorik. Çka e bën të tillë? E bën përmbledhja e përvojave të ndryshme artistike, krijimi i mozaikut prej gjedheve të shumëllojshme tregimtare dhe mbindërtimi dhe sintetizmi i të gjitha këtyre.

“Një dashuri dhe shtatë faje” është roman polihistorik edhe për arsyen pse trajton jetën e njeriut shqiptar në totalitetin e saj, në kohë të caktuar, në hapësirë të caktuar me refleksione për të gjitha kohët e për të gjitha hapësirat, roman për ngjarje të caktuara, por ngjarje të para në tërësinë e tyre përmes shfaqjeve e rrjedhojave të ndryshme, përmes përjetimeve e ndjenjave, në të vërtetë, përmes dramës individuale, por që reflekton dramën kolektive. Romani është një paraqitje tejet e plotë dhe interesante e realitetit social-politik e historik, një realitet shumë konkret e autentik.

“Një dashuri dhe shtatë faje” është roman polihistorik edhe sa i përket gjuhës, sepse romani i këtillë kërkon një gjuhë tërësore, të përpunuar e të aktualizuar në shkallë të lartë artistike. Mund të vështrohen në këtë kontekst për analiza gjuhësore e stilistike veçanërisht gjuha poetike e shkrimtarit, gjuha e Çerem Çaparit dhe gjuha e Arben Begesë, gjuha e narratorit anonim në disa kapituj, gjuha e dialogut dhe sidomos gjuha e monologut, gjuha e përshkrimeve, ligjërimi intelektual, ligjërimi profesional dhe sidomos ligjërimi intim i Çeremit dhe Hana Ujëmirit, ligjërimi i përditshëm dhe ligjërimi familjar i personazheve, gjuha politike që del nga konteksti politik i temës së romanit, gjuha administrative e dokumenteve që jepen në fund të romanit, gjuha e dhunës dhe gjuha policore në bisedat informative, gjuha lirike, gjuha publike, gjuha e fshehtë e gjuha simbolike – metaforike, fjalori dhe sidomos gjuha e asociacioneve, ligjërimi popullor i tregimit brenda romanit, e të tjera. Vëzhgimi i hollë i këtyre ligjërimeve do të nxirrte përfundime interesante për rrafshin e ndërthurjes së niveleve gjuhësore – do të provohej sa natyrshëm shkrihen muret a kufijtë gjuhësorë.

Mund të vështrohet gjuha edhe nga një anë tjetër. Çdo kapitull lejon mundësinë për vështrime me interes gjuhësor, sepse secili kapitull sjell veçanti gjuhësore, prandaj edhe mundësi për tipologji në rrafshe të ndryshme, analiza që do të ndihmonin përcaktimin e parimit krijues e artistik. Për shembull nëse kapitulli i parë Profeti më kishte thënë shpreh afri në shumë anë gjuhësore me kapitujt Dita kur e kishte humbur kujtesën dhe me kapitullin Dita kur e kishte humbur zërin, kapitujt Hana Ujëmiri dhe Kolona e pestë e shejtanit mund të vihen në një rrafsh, ndërsa Fjalori i fshehur qëndron më vete dhe jep mundësi për analiza tjetërfare në këtë rrafsh, ashtu siç dalin nga kjo rregullsi Dosja kuqezi dhe nëndarjet e titulluara Nga fletorja e shënimeve, që u prijnë kapitujve. Në këtë rrafsh dalin interesantë edhe nëntitujt, epigramet si kategori të veçanta gjuhësore, të përdorura me invencion këtu, dhe ndërfutjet e teksteve të shkurtra ose të fjalive brenda kapitujve si ky: Mexhid Toja e vazhdonte gjumin e të tjera.

Për nëntregimet Hirëmadhja dhe Tregimi simbolik, tregime këto brenda tregimeve, janë shfrytëzuar tema interesante: në të parin rikujtohet një ngjarje e tmerrshme, fantastike, ndodhur në Vajazan, ndërsa në të dytin një subjekt nga letërsia popullore, në të cilin janë përdorur edhe mjetet gjuhësore e stilistike të këtij rrafshi, ashtu si janë përdorur me bollëk figurat stilistike në të parin. Kjo teknikë e futjes së tregimit në tregim pasuron përvojën tonë letrare e gjuhësore, ndërsa në roman këto nëntregime e pasurojnë strukturën e tij dhe ndihen shumë të natyrshme. Romani sjell edhe risi të tjera në këtë rrafsh.

Roman postmodern

Romani “Një dashuri dhe shtatë faje” mund të quhet për shumë arsye roman postmodern. Çka e bën të tillë? E bënbashkimi i tradicionales dhe modernes e bëjnë risimet në këta përbërës: në formën, në ndërthurjen e veprimeve narrative. Narracioni shumë individual si parim bazë, ligjërata e drejtë, përdorimi i citateve, i njësive të ndryshme bibliografike, i titujve të veprave të ndryshme letrare, filozofike e historike dhe i titujve të filmave, i emrave të shkrimtarëve, filozofëve, historianëve, artistëve, muziktarëve, piktorëve, tekstet hyrëse në krye të tregimeve, mënyra si fillon dhe si përfundon romani e të tjera; në strukturën e romanit hetohet një përqendrim i theksuar i vëmendjes në strukturën e tij, në natyrën dhe në shumësinë e asociacioneve, në praninë e ndjeshme të ironizimit, në metaliteraritetin, në praninë e stilit shkencor dhe, natyrisht, të fantastikes.

Po kështu, shumësia e temave, e motiveve, e personazheve dhe e karaktereve në romanin “Një dashuri dhe shtatë faje” ofron prova se autori mbështetet në përvojën e romanit postmodern, ashtu siç dalin këto prova edhe në organizimin e veçantë dhe jotipik të tij, në strukturimin e njëkohshëm të zërave të ndryshëm të personazheve, në shmangiet në rrafshin narrativ – epik, në shmangiet që dalin në paraqitjen e ngjarjeve kronologjike. Ato që bien në sy veçmas janë prirjet aktuale të shkrimit modern, me veçantitë e shkrimit eseistik, shprehës, dhe kjo është shprehur qartë edhe në gjuhën e tij artistike. Romani mund të quhet edhe prozë intelektuale.

Ironia dhe gjuha

Edhe ironizimi i theksuar e përcakton romanin “Një dashuri dhe shtatë faje” në kuadër të romanit postmodern. Ironia në aspektet më të ndryshme shoqëron të gjitha tregimet e këtij romani. Ironizimi më i theksuar i drejtohet ideologjisë totalitare, madhësisë së rrejshme, degradimit moral, dyfytyrësisë, pseudointelektualit, njeriut shpirtvogël. Tehu ironik përcjell edhe shtresëzimin e romanit. E pranishme në mënyra të ndryshme, si dhe në gjithë krijimtarinë letrare e publicistike të Rexhep Qosjes, ironia lëviz prej kuptimit të thellë kritik e deri te parodizimi. Ironizimi kaq i theksuar kërkon gjuhë ironizuese dhe ajo në roman na del në funksion të plotë të tij. Tregimi i quajtur Fjalor i fshehur, që ka formën e një fjalori a leksikoni është një krijim autentik, metaforik e ironik. Ai na paraqitet si mjet gjurmimi mbi perceptimin objektiv-subjektiv të së vërtetës dhe të realitetit, të vështirësive, që ndodhin kur gjuha përdoret rrejshëm për të shprehur botën, në të vërtetë për të shprehur anëvështrimin shumë interesant për të. Shpjegimet e zërave që përfshihen në fjalor janë dhënë përmes metaforikës e ironisë, ndonëse, para së gjithash, janë sajuar përmes sintezës së të dhënave dhe interpretimeve të shumta, kështu që ngrihen në një metaforë të shumëkuptimshme e të përgjithshme në kuadër të romanit si tërësi.

Brenda tregimeve – kapitujt funksionojnë njëkohshëm si të veçantë dhe si një tërësi, kanë dallime në rafshin ndërtimor, për çka romani mund të quhet shumëzhanror. Jo vetëm Fjalori i fshehur del prej tipologjisë që përbëjnë njësitë e tjera romanore, por edhe Dosja kuqezi nuk është tregim tipik. Nëse i pari ka formën e fjalorit simbolik, tregimi i dytë ka një formë të veçantë, por nuk ndihet jashtë romanit dhe hyn në funksion të përplotësimit të ngjarjes bosht. Ai është zhvilluar përmes dokumentesh policore, raportesh të përcjelljes e të përgjimit policor dhe kjo natyrisht ka kërkuar një gjuhë tjetër dhe një stil funksional tjetër.

Tregimi i dashurisë Hana Ujëmiri, në të cilin rrëfimi del prej kuptimit klasik dhe merr formën e një tregimi modern me strukturë të shtresëzuar dhe dinamike, ka nivelin e vet kohor vertikal dhe nivelin shtresëzor horizontal. Ndërthurja e këtyre dy përmasave krijon përmasën e tretë – atë të thellësisë, e cila në këtë rrafsh mundëson vështrime të ndryshme perspektive. Shumëkuptimësia e cila del nga gjithë kjo mundëson interpretime të shumanshme. Ajo, shumëkuptimësia, edhe gjuhësisht shpreh pasurim sidomos në rrafshin e semantikës përmes polisemisë gjuhësore, sinonimisë dhe figurshmërisë, në të vërtetë nga ana semantike dhe nga ana e thjeshtë gjuhësore tregimi është një gjedhe e krijimit gjuhësor e stilistik për antologji. Të tillë e bën edhe ngjeshja kuptimore e shquar në shkallë të lartë dhe shpesh përftimi i stilemave të rralla:

«Filozofët! Sa shpejt janë bërë zotërues dhe prodhues të nocioneve me të cilat na shtyp pushteti! Futurologë politikë! Të dobishëm si myshqet! Me çdo kusht në krye të rreshtit.» (f.292)

Veçori ndërtimi dhe larmi stili

Romani mund të lexohet në mënyra të ndryshme. Tregimet-kapituj mund të lexohen veçan. Ata përbëjnë kapituj më vete, ndërsa titujt e tyre në të shumtën e rasteve janë simbolikë dhe të shumëkuptimshëm, ashtu siç janë edhe titujt e nënkapitujve. Secili nga ata funksionojnë në lidhshmëri njësuese. Ky ndërtim i mundëson lexuesit të marrë frymë, sepse secili nga ta kanë “dramën” e vet.

Edhe vetë titulli i romanit është i plotëkuptimshëm dhe simbolik: «Një dashuri dhe shtatë faje». Dashuri dhe faje. Më e fuqishme dashuria e më të shumta fajet! Kundërvënie midis filozofisë biblike (shtatë fajet) dhe asaj totalitare. Kapitujt paraprihen prej mikrotekstesh hyrëse, ndërsa atyre u paraprin Fjala paraprake e gjatë, ndërsa i përmbyll Fjala përmbyllëse e shkurtër, një tekst i Anonimit të shekullit XVIII.

Gjuha nga kapitulli në kapitull shpreh veçanti në rrafshin gjuhësor e stilistik, në të vërtetë funksioni dallues i gjuhës në ta është estetik. Nëse në kapitullin e parë mbizotëron një rrëfim i lirshëm – epik e fantastik, kapitulli i dytë shquhet me monologun e pasur e me përshkrime të gjera e të imta, ashtu si edhe i treti, kurse në kapitullin e katërt ndërron forma, ndonëse gjuha nuk del nga kornizat e kapitujve të tjerë, veçse shtohen mbishtresimet semantike, aluzionet dhe ironizimi; kapitulli i pestë gjuhësisht i afrohet kapitullit të dytë e të tretë, dallon vetëm me pasurinë e refleksioneve; kapitulli i gjashtë prin për përshkrime të bukura poetike, për gjuhën lirike e për dialogun shumë metaforik; ironizimi e përshkon gjithë kapitullin e shtatë, ndërsa në kapitullin e tetë ndeshim një gjuhë shumë të zhdërvjellët e befasuese; kapitulli i nëntë dallohet me gjuhën stilistikisht asnjanëse, të drejtpërdrejtë; e kuptueshme, sepse ai ka strukturë tjetër dhe gjuha i shkon mirë për shtati.

Ajo që vlen të përmendet në këtë kontekst është: autori me lehtësi të jashtëzakonshme del nga rrëfimi në përgjithësime, nga përgjithësimet në dialogë, nga dialogët në monologë, nga rrëfimi në dialog, nga paanësia në ironi, e cila futet me lehtësi në rrëfimin, ashtu siç ndërfuten njësi të shumta e të ndryshme mendimore, citate, fluturime poetike, përmbajtje me simbolikë të fuqishme, bisedat intelektuale e profesionale. Pasuri e pashtershme në këtë nivel na dalin aforizmat intelektuale, aforizmat politike, si fjala vjen: Ku nuk mund të ndihmojnë Bibla e Kur’ani nuk mund të ndihmojë as Deklarata e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut; Po u shuan gënjeshtrat u shua edhe politika; Dhuna ua merr gojën në rrugë të shkurtër, por ua forcon duart në rrugë të gjatë e të tjera, por edhe filozofia popullore, si fjala vjen: Dajakun e ka shpikur shpina e të ligut; Këtu, kurrë s’të ka ndihmuar zoti në qoftë se nuk të ka ndihmuar sakica e të tjera. Edhe inkuadrimi i tyre në roman është shumë i qëlluar.

Krahasimet erudite, që përbëjnë një enciklopedi artistike, brenda rrëfimit, shpesh eseistik e persiatës, të pasur me konotacione alegorike, pastaj parabola si figurë bazë narrative, liria e asociacioneve letrare, shtresëzimet semantike të metonimisë, paraqitjet filozofike e morale herë të hapura e herë përmes gjuhës së fshehtë, më në fund edhe një disiplinë e kultivuar e imagjinatës, nuk janë të vetmet veçori spikatëse të romanit “Një dashuri dhe shtatë faje”. Të gjitha këto e intelektualizojnë ndjeshëm romanin. Romani si i tillë e do një lexues të veçantë edhe për shkak të këtij intelektualizimi të shprehjes.

Vepër e hapur

Pohimet e mësipërme sjellin konstatimin se romani «Një dashuri dhe shtatë faje» është, ta përdorim togfjalëshin e semiotistit italian Umberto Eko, vepër e hapur. Dhe kjo veçori esenciale për romanin modern e postmodern përmbushet në disa vija në këtë roman. Romani dallohet nga pluralizmi stilistik dhe ky pluralizëm shprehet në përzierjen që rrok rrafshin e narracionit që dëshmohet te mënyra e rrëfimit, tipi i monologut; rrafshin e strukturës që e dëshmon rrëfimi që nuk shkon në vijë të drejtë, si dhe në rrafshin e gjuhës, që dëshmohet me pluralizëm teknikash e mjetesh gjuhësore e stilistike. Në rrafshin e gjuhës shquhet ndërtekstorësia: romani përmban shumë mendime e tekste të shkëputura nga tekste të tjera; shfrytëzohet teknika e montazhit; ndonjëherë krijohet ndjenja e kaosit gjuhësor, abstraksioni ia zë vendin konkretësisë, por me një hetim më të vëmendshëm shihet se çdo gjë i është nënshtruar një rregullsie në shkallë të lartë; shfrytëzohet befasia gjuhësore dhe në këtë rrafsh romani zbulon magjinë, intuitën, ndjeshmërinë e re duke i vënë në një shkallë me vlerat njohëse. Të gjitha këto flasin për pacaktueshmëri mesazhi, që do të thotë për shumëkuptimësi. Kështu lexuesit i hapen mundësi për përjetime të ndryshme që nxiten nga përmbajtja, nga ngjarjet e nga semantika e romanit.

Gjuha në funksion të tipizimit

Si hulumtues i shoqërisë me vetëdije të thellë për misionin e tij etik, autori formëson situata në të cilat e vërteta fiktive dhe drejtësia e imponuar vihen dhunshëm si modele të lirisë dhe të lumturisë. Këto janë situata tipike të raporteve të ashpërsuara sidomos në shoqëritë komuniste, në shoqëritë me kanone ideologjike, me të vërteta të kurdisura dhe me mendje të dirigjuara; këto janë situata në të cilat ndeshen autoriteti dhe i nënshtruari, urdhëresat dhe dëgjueshmëria, përcaktimet historike dhe liria e përzgjedhjes. Autori tematizon çështje që janë të përjetshme, dhe të cilat në epoka të caktuara ndërrojnë vetëm formën e shfaqjes së tyre, por në çdo kohë karakterizojnë raportet e shoqërisë dhe të individit, pavarësisht si zgjidhet ai raport në praktikën konkrete politike.

Romani është shprehje e vetëdijes se fati i njeriut në regjimet totalitare, shtypëse, është gjithmonë në shënjestër të forcave represive, gjithmonë i pasigurt e i rrezikuar. Kjo pasiguri dhe ky kërcënim, rrezikim i qenies, i ballafaquar me dhunën e pushtetit, paraqet burim të parehatisë dhe ndjenjë të ngushtimit jetësor të personazheve të tij. Autoriteti i pushtetit dhe mekanizmat e tij represivë përfshijnë gjithë hapësirën e dramës jetësore të njeriut dhe që më parë kufizojnë fushën e përzgjedhjes së lirë: Profeti vdes pa e kuptuar kush, Man Kurtit i humb mbamendja, Rozaf Gashit i humb zëri, Hana Ujëmiri vdes në rrethana të pasqaruara, Çerem Çapari detyrohet të mërgojë. Shumica e personazheve kanë fat tragjik ose nuk mund t’i tejkalojnë kufijtë e situatës reale. Është e papritur vdekja e profetit, është shumë e çuditshme vdekja e Hanës, e pritur zhdukja e Man Kurtit, ashtu si kuptohen e përjetohen edhe sprovat, humbjet, ethet dhe vdekja e Çeremit. Të gjitha këto pësime janë rrjedhojë e rrethanave politike. Konfliktin e shpallur e të pashpallur midis individit dhe pushtetit, autori e kthen në sprova morale e psikologjike të personazheve të romanit. Romani prandaj përmban vizion të qartë kritik në këtë rrafsh.

Duke mbrojtur paprekshmërinë e lumturisë personale, shkrimtari përcjell procesin e shkatërrimit të botës intime të njeriut në kushtet e pështjellimeve dhe konfuzioneve kolektive dhe represioneve totalitare. Vdekja e Hana Ujëmirit, që është edhe ndër pjesët më të motivuara estetikisht dhe gjuhësisht të romanit, e dëshmon se autori i njeh mirë këto situata dhe ato i jetëson në mënyrë të përsosur.

Për dallim nga heroi i romanit tradicional, i gatshëm për kundërvënie e veprime, heroi i romanit modern e posmodern më së shpeshti gjendet në rrethana të kufizuara të veprimit, në qark të mbyllur. Në romanet si ky, vdekjet, ikjet, shurdhëria, memecëria janë shpëtimi i vetëm. Intensifikimi i përjetimeve tragjike dhe paraqitja e situatave kufizuese të njeriut përforcohen në saje të zhargonit politik, fjalorit politik, sintagmave politike, aforizmave politike, metaforave gjuhësore-politike, simboleve e aluzioneve politike. Ndërthurja e tyre brenda ligjërimit artistik del natyrshme dhe gjithmonë në funksion të tipizimit të personazheve, të atmosferës dhe të kohës. Modeli narrativ i romanit i tejkalon kufijtë e paradigmës ideologjike dhe i përgjigjet kërkesave estetike të prozës moderne, në të vërtetë postmoderne.

Përfundim

Në romanin «Një dashuri dhe shtatë faje» i Rexhep Qosjes, shfrytëzimi i gjedheve të ndryshme letrare e gjuhësore ka krijuar një strukturë të larmishme letrare e gjuhësore ku shpërfaqen shumësia tematike e ideore dhe shumësia e mjeteve shprehëse gjuhësore. Autori ka shfrytëzuar përvoja të shumta letrare, të traditës e të reja, ka vendosur lidhjen dhe vazhdimësinë dhe ka bërë sintezën midis të vjetrës e të resë, ndërsa ndërthurja në rrafshe të ndryshme letrare e gjuhësore ka ofruar lëndën për krijimin e një stili plotësisht të veçantë e të pavarur. Me një fjalë ky roman e pasuron romanin shqiptar, e pasuron përvojën tonë letrare-artistike: e pasuron me përmbajtjen, me idetë, me teknikën, me organizimin letrar e gjuhësor, me gjedhen, e pasuron, sidomos me stilin e me gjuhën.

[1]  Umberto Eko, në intervistën dhënë Lila Azam Zanganeh-ut për revistën “the Paris review” me titullin: Umberto Eko, The Art of fiction nr.197, vjeshtë 2008, marrë nga http://www.theparisreview.org/interviews/5856/the-art-of-fiction-no-197-umberto-eco