... minut pas minuti

GJUHA E URREJTJES NË KOSOVË: NJË PENGESË PËR PAJTIMIN DHE ZHVILLIMIN

publikuar nga Ali Rexha, ne #Magazina 4U. ora 19:00

Gjuha e urrejtjes, sidomos në mjedisin digjital, është shfaqur si një pengesë serioze për pajtimin ndërmjet grupeve etnike në Kosovë. Ky problem, jo vetëm që i përshkallëzon tensionet ndëretnike, por gjithashtu e minon zhvillimin socio-ekonomik të rajonit. Të kuptuarit e ndikimit të dëmshëm të gjuhës së urrejtjes dhe ndërmarrja e hapave për ta kundërshtuar atë është thelbësore për krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë.

Problemi i gjuhës së urrejtjes

Gjuha e urrejtjes në baza etnike në Kosovë është më së shumti e dukshme në platformat e mediave sociale. Megjithëse vetëm një pjesë e vogël e popullsisë e përdor ose mbështet gjuhën e urrejtjes, prapëseprapë ata e krijojnë një mjedis digjital armiqësor që i pasqyron dhe thekson stereotipat negativ. Kjo sjellje kontribuon në mungesën e pajtimit ndërmjet grupeve etnike, veçanërisht ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.

Duke e marrë parasysh se ndërveprimet e drejtpërdrejta ndërmjet këtyre grupeve janë të kufizuara, shumë njerëz i formojnë opinionet e tyre për palën tjetër bazuar në përmbajtjen që e hasin online. Kështu, mjedisi digjital bëhet një terren pjellor për keqinformim dhe armiqësi. Pasojat janë të gjera, pasi që ato ndikojnë jo vetëm në marrëdhëniet ndëretnike, por edhe në perceptimin e përgjithshëm për ne si një shoqëri që aspiron të përfaqësojë vlerat e Bashkimit Evropian dhe të integrohet në organizatat Euro-Atlantike.

Pasojat e gjuhës së urrejtjes

Përdorimi ose mbështetja e gjuhës së urrejtjes etnike e vazhdon një cikël mosbesimi dhe armiqësie. Për më tepër, gjuha e urrejtjes ka edhe ndikime domethënëse psikologjike. Psikologu Gëzim Shala thotë: “Gjuha e urrejtjes është një formë e komunikimit verbal dhe jo verbal kundrejt një individi, grupi, etnie, feje, race apo grupi të margjinalziuar me aftësi të ndryshme, dhe kjo gjuhë shfaq dhunë, diskriminim dhe përbuzje.” Ekspozimi ndaj saj mund të çojë në stres dhe ankth, duke shkaktuar dëme të mëtejme psikologjike dhe emocionale, shton Shala. Gazetarja Adriana Thaqi thekson se përvoja e saj profesionale ia ka dëshmuar se gjuha e urretjes është një formë e censurimit pasi që ajo i hesht zërat që mund të japin kontribut pozitiv në shoqëri. “Deklarat publike shpesh tërheqin komente të shumta denigruese, të cilat çojnë në vet censurim dhe heshtjen e atyre që mund ta bëjnë shoqërinë pak më normale.” Petar Xhorxheviq nga OJQ Shoqata Rinore – Graçanica Aktive Rinore theksoi: “Nëse nuk i përgjigjesh gjuhës së urrejtjes në mënyrën e duhur, hapi tjetër është padyshim një formë e dhunës. Këtu mund të përfshihet diskriminimi, tensionet ndëretnike, dhe dehumanizimi i disa grupeve të caktuara, me pasoja potencialisht të rënda.

Promovimi i ndryshimit pozitiv

Refuzimi dhe raportimi i gjuhës së urrejtjes: Një nga mënyrat më efektive për ta kundërshtuar gjuhën e urrejtjes është refuzimi aktiv dhe raportimi i saj. Duke mos i mbështetur mesazhet fyese dhe duke i raportuar ato, individët mund të ndihmojnë në krijimin e një mjedisi digjital më të respektueshëm dhe tolerant. Ky veprim kolektiv mund ta ulë shpeshtësinë e gjuhës së urrejtjes dhe të dekurajojë përhapjen e saj. Disa platforma të mediave sociale (SoMe) e ofrojnë mundësinë për të raportuar komentet fyese. Inkurajimi i ndërveprimeve ndëretnike: Rritja e mundësive për ndërveprime ndëretnike mund të ndihmojë në thyerjen e paragjykimeve dhe ndërtimin e mirëkuptimit të ndërsjellë. Ju të rinjtë, në veçanti, e luani një rol thelbësor në formësimin e të ardhmes së Kosovës. Prandaj, është jetike që të jeni mendjehapur dhe të bëheni pjesë e dialogut shoqëror, sepse kjo do t`ju mundësojë të udhëhiqni rrugën në krijimin e një shoqërie që gjithnjë e më shumë shikon drejt të ardhmes, teksa mëson nga gabimet e të kaluarës dhe pa i përsëritur ato. Fushatat e ndërgjegjësimit: Aktualisht në Kosovë nevojiten fushata ndërgjegjësimi që i edukojnë njerëzit për dëmet e gjuhës së urrejtjes dhe rëndësinë e tolerancës ndëretnike. Këto fushata duhet t’i theksojnë përfitimet e një shoqërie të bashkuar dhe rolin që individët mund ta luajnë në arritjen e saj. Duke i nisur dhe duke u bërë pjesë e fushatave të tilla, ju do të kontribuoni drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës suaj, si dhe në vendosjen e themeleve të një të ardhmeje paqësore dhe progresive.

Rëndësia e veprimit kundër gjuhës së urrejtjes

Gjuha e urrejtjes në Kosovë e përbën një kërcënim serioz për pajtimin ndëretnik dhe zhvillimin socio-ekonomik. Duke i kuptuar pasojat e saj dhe duke marrë hapa proaktiv për ta kundërshtuar atë, shoqëria jonë mund të punojë drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe më të begatë. Promovimi i tolerancës ndëretnike, refuzimi dhe raportimi i gjuhës së urrejtjes, dhe inkurajimi i ndërveprimeve pozitive janë strategji thelbësore në këto përpjekje. Ju të rinjtë, në veçanti, e keni potencialin për ta udhëhequr këtë ndryshim, duke e krijuar një shoqëri që e përqafon diversitetin dhe e synon përparimin kolektiv.