... minut pas minuti

HERSI MATMUJA – RRUGËTIMI SHUMËDIMENSIONAL I NJË BILBILI SHQIPTAR

publikuar nga Ali Rexha, ne #Magazina 4U. ora 11:12

 

Hersi Matmuja, këngëtarja e vlerësuar shqiptare e ka ndjekur një shteg unik në industrinë e muzikës falë talentit të saj të gjithanshëm dhe përkushtimit. Që nga performancat e hershme në skenë si një fëmijë me shumë talent e deri te përfaqësimi i Shqipërisë në Këngën e Eurovizionit 2014, rrugëtimi i Hersit është një dëshmi e pasionit të saj për muzikën. E kultivuar në zhanrin e muzikës klasike si dhe të asaj bashkëkohore, ajo e ka bërë për vete publikun me këngët dhe kompozimet shpirtërore dhe të ndjera. Aktualisht me vendbanim në Itali, Hersi vazhdon që të kombinojë rrënjët e saj shqiptare me muzikën botërore, për të krijuar një tingull të pasur që ka jehonë universale. Në këtë intervistë, Hersi flet me ne për fillimet e saj muzikore, frymëzimet dhe aspiratat e saj për të ardhmen.

 

Kush është Hersi, fillimet e para në skenën muzikore, takimi i parë me muzikën, këngët e para?

Jam një këngëtare profesioniste që i ka filluar studimet e muzikës që në moshën 8 vjeçare e kurrë nuk kam ndaluar më. Praktikisht jam rritur në skenë. Në moshën 16 vjeçare mora pjese në Festivalin e Këngës në RTSH me këngën “Ah Jetë o Jetë” të artistit të madh Frederik Ndoci dhe fitova në kategorinë e të rinjve. Këtu nisi karriera ime e vërtetë si këngëtare. Pastaj në vitin 2009 e fitova konkursin për të studiuar në konservatorin prestigjioz të Romës “Santa Cecilia”. Në ndërkohë i pata disa pjesëmarrje ë Festivalin e Këngës ku në vitin 2013 e fitova çmimin e parë me Këngën “Zemërimi i një Nate,” me kompozim të Genti Lako dhe tekst të Jorgo Papingjit. Në vitin 2014 e përfaqësova Shqipërinë në Këngën e Eurovizonit. Ndërkohë tash e 15 vite e kam ndërtuar gjithashtu karrierën time në Itali, ku edhe jetoj aktualisht.

Çfarë zhanri te muzikës më me dëshirë këndoni?

Kjo është një pyetje e vështirë, pasi që unë i kam lëvruar shumë zhanre nga muzika e lehtë tek ajo operistike, muzika klasike bashkëkohore, muzika tradicionale dhe në secilin prej tyre e kam një copëz zemre. Mund të them se për momentin po i dedikohem kompozimeve të mia dhe zhanrit të “world music” (muzikës botërore) duke u përqendruar më së shumti në muzikën tradicionale shqiptare.

Cilat janë mesazhet e këngëve tuaja?

Mesazhet e këngëve te mia i mbartin vlerat universale si dashuria, malli, humbja, dhimbja, miqësia. Për momentin po frymëzohem nga legjendat shqiptare për të kompozuar.

Kush ka ndikuar më shumë në formimin tënd si artiste?

Me siguri studimet e mia që nuk kanë të ndaluar as sot, e me to pedagoget/ët me të cilët ndër vite kam punuar, e që i falënderoj përulësisht e përjetësisht. Pastaj edhe lëvrimi i disa zhanreve ka ndikuar në formimin tim si artiste dhe si njeri. Evolucioni mendoj se është një nga misionet kryesore të artistit, përpjekja për t’i ofruar publikut përmes artit sa më shumë forma të larmishme për tu emocionuar.

Çka mendoni për skenën muzikore shqiptare dhe çka do të ndryshoje në të?

Unë mendoj se muzika tashmë ka marrë drejtime të ndryshme dhe unë dëgjoj artistë që e ndjekin vetveten dhe stilet e tyre dhe jo vetëm “komercialitetin”, e kjo më pëlqen shumë. Ka shumë artistë të Kosovës të cilët i admiroj për stilet e veçanta dhe që nuk janë “clichè” me ato që i paraqesin përpara publikut.

A mendon se artistëve të rinj iu jepet hapësirë e mjaftueshme në media?

Jo, mendoj se nuk u jepet shumë, dhe kjo është një gjë e dëmshme për vetë shoqërinë, pasi që artistët e rinj na bëjnë të jetojmë kohën e tashme e ndoshta edhe ta kuptojmë më mirë atë.

Nëse do të darkoje më tre persona të famshëm (qofshin ata të gjallë apo të vdekur), kush janë ata?

Nexhmie Pagarusha, Celine Dion, Maria Callas.

Cilat gjëra në jetë ju bëjnë të qeshni?

Ah, në këto momente për shembull shikimi i bashkëshortit tim ndërsa mundohem t’i shpjegoj vajzës sime Hanës se si mblidhen lodrat që ajo i hedh kudo, një “mission impossible” (mision i pamundur) tashmë (Hahhahah), ose një “videocall” në grup me motrat.

Çfarë bëni gjatë fundjave?

Zakonisht kam koncerte, nëse jo, shkoj afër detit ku jetoj së bashku me familjen, ose në fshat për ecje. Gjej gjithmonë rehati dhe kënaqësi në gjërat e vogla, si gatimi i një ëmbëlsire për vajzën time. Më pëlqen dhe gatimi ndaj në fundjavat e lira më pëlqen të gatuaj për familjen. Më relakson.

Cili është pseudonimi juaj, dhe cila është historia mbrapa tij?

Nuk kam ndonjë pseudonim, por mund t’ju tregoj këtë: “Hmmm, Jacopo (bashkëshorti) shpesh më thërret “la mia donna balcanica” (gruaja ime ballkanike), pasi që ndonjëherë ai temperamenti i fortë dhe i zjarrtë ballkanik del në pah në situatat e përditshme, dhe ai gjithmonë thërret “ecco la mia donna balcanica” dhe aty më kap e qeshura. Hahahah

Cili ka qenë emisioni argëtues që e ke shikuar me dëshirë kur ishe i vogël?

E vogël, me siguri emisionet e RTSH -së me Pipin dhe Kokëkashtën.

Kurse tani çka shikoni më me dëshirë në TV?

Tani pothuajse nuk shoh TV fare, e edhe nëse ndizet TV shikohen vetëm kukullat e Hanës.

Na trego diçka për ju që do të na çudiste?

Në vitin 2016, kam dhënë mësim kantoje për një muaj në konservatorin e kryeqytetit të Koresë se Veriut.

Na trego për një sfidë që e ke tejkaluar dhe si e ke tejkaluar?

Ndër vite e kam kuptuar se më duhet kohë që të mendoj dhe reagoj. Mendoj se gjërat e kanë një rrjedhë natyrale që nuk vendoset nga ne. Unë shpeshherë kam pritur për ta kuptuar drejtimin që duhet ta merrja pa u sforcuar. Sfidat kalohen dhe zgjidhen pavarësisht nëse na pëlqen apo jo zgjidhja. Kjo është diçka e rëndësishme për tu kuptuar mendoj.

Nëse do të duhej të dëgjoje vetëm një këngë gjatë gjithë jetës, cila do të ishte ajo?

Nuk është një këngë është Quadro i tretë i operës “La Boheme” të Giacomo Puccini.

Nëse do të duhej ta haje vetëm një ushqim gjatë gjithë jetës, cili do të ishte ai?

Bukë me djathë.

Na trego një kujtim nga fëmijëria dhe ndjenjat që të sjell ai kujtim sa herë të bie në mend?

Mbaj mend veten në festivalin e parë që kam marrë pjesë. Isha 8 vjeçe dhe i harrova fjalët e këngës në mes por ama e çova deri në fund performancën. E kujtoj ndjesinë e vështirësisë që më dha ai moment, por ishte gjithashtu edhe një mësim i mirë sepse “The show must go on” dhe unë e kam kuptuar që në vogëli këtë koncept.

Çfarë do të bëje nëse do të fitoje 1 milion euro?

Do t’i bëja MUZIKË, jo rrush e kumbulla.

Cili është destinacioni turistik i ëndrrave?

Bota është e bukur dhe do të doja ta njihja sa më shumë. Për momentin dua të shkoj në një vend të ngrohtë për festën e Vitit të Ri. Shumë e arritshme, por ende nuk e kam realizuar për shumë arsye.

Nëse një ditë do të qeverisje botën, çka do të ndryshoje?

Pyetje shumë angazhuese, gjëja e parë ndoshta do të ishte të përmbushja nevojat primare të njerëzimit aty ku mungojnë.

Cilat janë dëshirat tua për Llambën e Aladinit?

Dëshira e parë është që vajza ime të jetë gjithmonë e shëndetshme. E dyta që të këndoj sa të kem jetë.

Në cilën periudhë të historisë kishe pasur dëshirë të jetosh?

Vitet ‘50-‘60 pasi që më pëlqen shumë muzika e atyre viteve.

Çka vëren së pari kur je në bisedë me dikë?

Sytë dhe a buzëqeshin.

A është dashuria vetëm fjalë?

Dashuria është shumë gjëra.

Nuk mund të jetosh pa…?

Nuk mund të jetoj pa familjen time dhe muzikën.

Po të detyroheshe të bëje njërën nga këto, cilën do ta zgjidhje:

Të luaj rol negativ në një telenovelë. Të laj një grumbull të madh të enëve, hahahah. Të hidhem me litar mbrojtës nga një lartësi e madhe.

Çfarë preferoni më së shumti nga gardëroba juaj?

Fustanet.

Cilit lloj të ëmbëlsirës kurrë nuk i thoni jo?

Më pëlqejnë të kripurat.

Çfarë mendoni për të rinjtë e Kosovës dhe cila është porosia juaj për ta?

Ëndërroni, jetoni jetën në maksimum duke qenë prezent me zemër dhe mendje në çdo hap të saj. Studioni, kultivojuni, udhëtoni dhe dashuroni. Zbulojeni talentin tuaj dhe investoni në të. Nëse i realizoni ëndrrat dhe aspiratat tuaja, atëherë do të kontribuoni në krijimin e një familjeje dhe shoqërie të lumtur.

PROFILI:

Emri dhe mbiemri: Hersi Matmuja

Data e lindjes: 1 shkurt 1990

Vendi i lindjes: Kukës

Gjatësia: 1,56

Pesha: 60 kg

Ngjyra e syve: kafe

Ngjyra e flokëve: gështenjë

Ushqimi i preferuar: të kripurat

Muzika e preferuar: klasike, tradicionale

Këngëtari/ja i/e preferuar: Celine Dion

Pija e preferuar: vera e kuqe

Ngjyra e preferuar: blu

Talenti sekret: gatimi

Sporti i preferuar: palestra

Cilat janë virtytet tuaja: vendosmëria, çiltërsia

Stili i veshjes: klasik, i lirë (casual)