... minut pas minuti

Çfarë do të thotë të mohosh veten?

publikuar nga Giancarlos Ventura Gonzales, ne #Fjale Biblike. ora 08:00

Ungjilli i Markut u shkrua në shekullin e parë, kur të krishterët në Perandorinë Romake po persekutoheshin nga Neroni dhe madje u hidheshin luanëve për hir të krishterimit. Ky ungjill ishte i një rëndësie dhe shprese jetike, sepse këta të krishterë po e mohonin veten dhe po vdisnin për kauzën e Krishtit. Kështu që, ndërsa përpiqem t`ju shpjegoj Marku 8:34 në dritën e kontekstit të tij, ju ftoj të lexoni Markun 8:27-9:1 në Biblën tuaj.

Konteksti

Në pjesën e parë të ungjillit (Marku 1:1 – 8:26), ne vëzhgojmë Jezusin duke shpallur Mbretërinë e Perëndisë nëpërmjet mrekullive, duke shfaqur autoritetin e tij si Krisht. Në pjesën e dytë (Marku 8:27-9:1), ne shohim Jezusin duke treguar rrugën e tij të vuajtjes si Krishti i vërtetë. Ky Ungjill e paraqet Jezusin si Krishtin që vuan dhe në këtë kontekst, lexojmë se si Jezusi doli me dishepujt e tij në fshatrat e Cezaresë së Filipit dhe i pyeti ata: "Kush thonë njerëzit se jam unë?” (Marku 8:27).

Pjetri njeh Krishtin (Marku 8:28-30)

Dishepujt u përgjigjën se njerëzit e konsideronin atë si Gjon Pagëzorin, Elijan ose një profet tjetër të Perëndisë. Atëherë Jezusi i pyeti përsëri drejtpërdrejt: "Po ju kush thoni se jam unë?” Pjetri, si përfaqësues i të dymbëdhjetëve, pohoi "Ti je Krishti”, dhe ata kishin të drejtë. Megjithatë, ata kishin një kuptim të paqartë të Krishtit dhe veprës që Ai do të kryente.
Për këtë arsye, Jezusi "i urdhëroi rreptësisht të mos i tregonin askujt për Të”, pasi koncepti i ‘Krishtit` që kishin dishepujt, ishte që Ai të mbretëronte mbi popullin e Izraelit, duke mposhtur perandorinë shtypëse romake; dhe jo të Krishtit të vërtetë që e mohoi veten duke vuajtur vdekjen e kryqit.

Pjetri qorton Krishtin e vuajtur (Marku 8:31-33)

Jezusi u shpjegoi atyre qartë se Krishti i vërtetë ishte ai që u profetizua si i përbuzur dhe i refuzuar nga udhëheqësit judenj, i cili duhej të vdiste dhe të ringjallej ditën e tretë. Për Pjetrin dhe për apostujt e tjerë, kjo nënkuptonte dështimin e të gjitha aspiratave të tyre në lidhje me Krishtin fitimtar dhe të pavuajtur.
Pjetri e kërcënoi Jezusin të ndalonte misionin e tij, duke treguar në qëndrimin e tij një turp të madh ndaj Jezusit dhe ndaj vuajtjes së tij të afërt të paralajmëruar (Marku 8:38). Jezusi e qortoi Pjetrin, sepse sjellja e tij ishte në kundërshtim me planet e Perëndisë. Sepse edhe vështrimi i apostujve ishte te materiali, te përfitimet e mundshme që do të merrnin duke qenë dishepuj të “Krishtit që do të mundte Perandorinë Romake”.

Pjetri u këshillua të ishte një dishepull që vuante (Marku 8:34-9:1)

Jezusi u thotë turmave dhe apostujve të tij se, nëse dikush dëshiron të jetë dishepulli i tij dhe ta ndjekë atë, ai duhet të mohojë vetveten dhe të marrë kryqin e tij.
Duke mohuar veten? Kjo frazë ka konotacionin e heqjes dorë nga dëshirat tuaja, qëllimet personale, çdo ambicie për pushtet, sundim apo lavdi njerëzore dhe vënien në shërbim të të tjerëve. Të ndjekësh Jezusin do të thotë më shumë sesa thjesht të identifikosh veten si ndjekës të tij; është më tepër t`i nënshtrohesh Krishtit si skllav i tij. Apostujt nuk ishin ende gati për këtë, dhe kjo u bë e dukshme kur ata e braktisën Jezusin një natë para vdekjes së tij.

Duke marrë kryqin tuaj

Romakët e bënë kryqin formën e tyre të preferuar të ekzekutimit për kriminelët më të mëdhenj. Objektivi i tyre ishte të shkaktonin torturën maksimale dhe poshtërimin më të madh publik. Pra, kur Jezusi tha "merre”, kjo nënkuptonte se poshtërimi dhe vuajtja duhet të jenë vullnetare. Apostujt nuk ishin ende gati të pranonin poshtërimin e tmerrshëm dhe të turpshëm për kauzën e Krishtit dhe të Ungjillit.
Sjellja e apostujve në atë kohë zbuloi gjendjen natyrore të qenieve njerëzore, që me vullnetin tonë të lirë nuk duam ta mohojmë vetveten dhe as ta mbajmë kryqin tonë. Ego-centrizmi ynë është aq i madh sa manifeston vetëm gjendjen tonë si mëkatarë. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë që Fryma e Shenjtë të transformojë qenien tonë dhe të na bëjë më shumë si Krishti, shembulli ynë i madh i mohimit dhe poshtërimit.
Pas Rrëshajëve, apostujt nuk ishin të njëjtë, shumë e mohuan veten, morën kryqin e tyre dhe vdiqën për kauzën e Krishtit. Pali e përmblodhi kështu: “Për mua të jetosh është Krishti dhe të vdesësh është fitim” (Filipianëve 1:21).

Zot, u bëftë vullneti yt!