75-vjetori i Kolegjit të Europës, Veliaj: Kampusi histori suksesi
publikuar nga Xhensila Buba, ne #Euronews. ora 18:57
Në një atmosferë solemne, Kolegji i Europës festoi 75-vjetorin e tij në Bruksel, duke përkuar me hapjen zyrtare të kampusit të tij të tretë në Tiranë.
Të ftuar të nderit në ceremoni ishin kryetarët e Bashkive të Tiranës, Bryzhit dhe Varshavës, qytete, që janë pritës të Kolegjit të Europës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehu krenarinë për përfshirjen e Tiranës si një nga tre qytetet që presin kampuset e këtij institucioni prestigjioz.
“Kemi një super lajm: nga viti i ardhshëm kampusi do të dyfishohet, po ashtu edhe numri i studentëve, ndaj më vjen mirë që në të njëjtat konvikte ku jetojnë studentët e Kolegjit të Evropës, jetojnë edhe studentët shqiptarë.
I gjithë “Qyteti Studenti” ka marrë jetë nga kjo eksperiencë, por besoj se e gjithë Tirana ka përfituar nga fakti se kemi këtë kontribut të studentëve që vijnë nga gjithë BE-ja, për të pasur një përvojë unike në Tiranë. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm të rritjes çdo vit me studentët që vijnë në kampusin e Tiranës, do të jemi vërtet një histori suksesi”,-tha kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Rektorja e Kolegjit të Europës, Federica Mogherini, falënderoi kryebashkiakun e Tiranës për angazhimin e tij në këtë projekt historik, teksa shtoi se vitin që vjen do të jenë 55 studentë, që do të bashkohen vitin që vjen. Kampuset e Kolegjit të Europës në Tiranë, Bruzh dhe Natolin vazhdojnë të jenë një urë për bashkëpunimin dhe integrimin europian.