Cili është roli i veprave tona në shpëtim?
publikuar nga Eunice Burden, ne #Fjale Biblike. ora 04:00
Efesianëve 2:8-9 thotë, “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga veprat, që të mos mburret askush.”
Menjëherë mund të themi, ne nuk mund të fitojmë shpëtimin me asgjë që bëjmë, sepse shpëtimi është dhurata e Zotit për këdo që beson në Të, pendohet dhe rrëfen mëkatet e tij dhe kërkon pastrimin e tij. Pastaj ne birësohemi në familjen e Tij. Pyetja tjetër që duhet bërë pasi të shpëtohemi është – "po tani?” Nëse nuk mund ta fitoj shpëtimin tim, çfarë pret Perëndia prej meje?
Të transformuar për të bërë vepra të mira
Dëshira e Perëndisë për secilin prej nesh, pasi të jemi bërë të krishterë, është që Ai të “na transformojë në shëmbëlltyrën e Birit të Tij” (Romakëve 8:29 dhe 2 Korintasve 3:18). Ky transformim nuk mund të ndodhë sa hap e mbyll sytë. Ndërsa Perëndia na transformon nga brenda, jeta jonë e jashtme do të fillojë ta tregojë këtë. Jakobi 2 na jep njëfarë pasqyre për këtë, ndërsa Jakobi u shkruan atyre që pretendojnë se kanë besim, por duket se nuk ka asnjë provë të vërtetë për besimin e tyre. Në përmbledhje të përgjigjes së tij të gjatë, ai thotë: “Unë do t`ju tregoj besimin tim me veprat e mia…. Besimi pa vepra është i vdekur.” (Jakobi 2:18,26).
Veprat e mira nëpërmjet veprës së Krishtit
Veprat e mira që bën një i krishterë, ai i bën sepse Krishti punon në të dhe ato janë dëshmitarë të të gjithëve përreth nesh – “ata do të shohin veprat tuaja të mira dhe do ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej” (Mateu 5:16). Veprat e mira që bëjnë njerëzit e besimeve të tjera, shpesh bëhen me shpresën se do të meritojnë dhe disi do të mund të arrijnë në parajsë me të gjitha të mirat që kanë bërë.
Veprat e mira si një shenjë e jashtme e punës në jetën tonë
Pra, është e qartë se veprat e mira dhe puna e mirë janë të rëndësishme që një i krishterë të bëjë, jo për të fituar miratimin e Perëndisë, ose nga përpjekjet e vetë njeriut, por si një shenjë e jashtme e punës që Krishti ka bërë në jetën tonë. Ai po na ndryshon që të jemi gjithnjë e më shumë si Krishti, dhe kjo bëhet me fuqinë e Frymës së Shenjtë.