Verdiket e sezonit të rregullt/ Vllaznia e para, Elbasani, Egnatia dhe Dinamo plotësojnë “finalet”

0

Disa enigma u sqaruan, ndonëse njëra prej tyre përgjysmë. Tirana e siguroi mbijetesën në Superligën shqiptare edhe për këtë sezon, ashtu siç bëri edhe Vora, ndërsa Teuta iu shmang rënies, por jo plotësisht.

Bylis, ndërkaq, do të luajë në Kategorinë e Parë vitin që vjen. Këto ishin përfundimet e javës së 36-të e të fundit të fazës së rregullt të elitës së futbollit shqiptar, të cilën në vend të parë e mbylli Vllaznia e jo Elbasani.

Elbasanasit u mundën në fushën e tyre, 3-1 nga Tirana, rezultat që i zbriti në vend të dytë, ndërsa rekordmenët e titujve shpëtuan plotësisht. Mysloviç në 7’ dhe Haxhiu në 49’ I dhanë kryeqytetasve epërsinë 2-0, përpara sesa Kasa të shkurtonte diferencën në minutën e fundit.

Pati kohë për golin e tretë bardheblu, në minutën e gjashtë shtesë nga Tabeku. Mbijetesën më të merituar, të paktën për këtë javë, e arriti Vora. Skuadra e qytezës së Shqipërisë së Mesme fitoi 5-2 ndaj Bylisit, në duelin direkt për të shmangu rënien.

Kasalla shënoi dy herë për vendasit, një herë Karrica e dy gola ishin nga Daka. Uallison barazoi përkohësisht për ballshiotët për 1-1, dhe Emini barazoi sërish për 2-2, por që nga minuta e 66-të e më tej, epërsia ishte e Vorës.

Mallakastriotët do të luajnë në Kategorinë e Parë sezonin që vjen. Teuta i shpëtoi ndëshkimit maksimal, por për momentin kjo është vetëm përkohësisht. Kjo, sepse edhe pas fitores 3-2 kundër Egnatias në Durrës, siguroi vetëm vendin e tretë nga fundi, dhe do të luajë një sfidë plej auti ndaj ekipit të tretë të Kategorisë së Parë.

Dy herë Daci e një herë Vila ishin autorët e golave për Teutën, Ruçi realizoi për 1-1 dhe Buriç një rrjetë ngushëllimi për kampionët në “Niko Dovana”. Renditja e vendeve të fundit ishte Tirana 44 pikë, Vora e Teuta nga 42, dhe Bylis 41 pikë.

Ndërkaq, vendin e parë në sezonin e rregullt e zuri Vllaznia. Shkodranët fituan 2-0 në “Loro Boriçi” kundër Flamurtarit që kishte rënë nga elita që pas javës së kaluar. Ara në 18’ dhe Murataj në 55’ ishin emrat që tundën rrjetën. Ndeshja me më pak interes e javës së 36-të ishte derbi i kryeqytetit, Partizani-Dinamo.

Të kuqtë nuk luftonin për asgjë, ndërsa blutë e kishin siguruar vendin në katërshe e më shumë po mendojnë për finalen e Kupës ndaj Egnatias. Keko shënoi dy gola për “demat”, dhe Koma rrjetën e vetme për të ashtuquajturën “nëndetësja”. Vllaznia mbylli sezonin e rregullt me 63 pikë, Elbasani 62 dhe Egnatia me 57./abcnews.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *