Prokurimet publike/ Rama: Jemi në fazë shumë të avancuar të negociatave të përparimit në këtë fushë
TIRANË- Kryeministri Edi Rama duke folur për Kapitullin 5 “Prokurimi Publik”, u shpreh se Shqipëria në fushën e prokurimeve publike ka një performancë të mirë, në krahasim me mesataren e vendeve të Bashkimit Europian.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se vendi ynë ndodhet në fazë të avancuar të negociatave në këtë fushë.
“Janë disa fjali që mund të tingëllojnë sikur fliten për Shqipërinë, por në fakt janë fjali të nxjerra nga një raport i detajuar i Gjykatës Evropiane të Llogarive për vendet e BE-së lidhur me prokurimet publike.
Raporti flet për një nivel konkurrence për kontratat publike më të ulët gjatë viteve të fundit. Flitet për mungesë ndërgjegjësimi lidhur me faktin që konkurrenca është parakusht për vlerën e parasë në prokurimet publike.
Flet për tregues kyç për matjen e konkurrencës që mbeten të pakënaqshme në shumicën e shteteve anëtare, me mbi 40% të garave me një ofertues për një periudhë 10-vjeçare. Flet për mungesë konkurrence që ndikon në çmime, kosto dhe kohëzgjatje të procedurave, të rritura me 50%. Shkalla e publikimit dhe pjesëmarrja mbeten në nivele të pakënaqshme. Këto janë disa prej konkluzioneve.
Nëse e vendosim në kontekst pozicionin e vendit tonë në indikatorët thelbësorë që përcakton BE-ja për konkurrueshmërinë, nëse në mesatare kontratat me një ofertues përbëjnë 32.3% të kontratave në vendet e BE-së, për Shqipërinë ato janë 23.5%. Edhe në numrin e ofertuesve për procedurë, që raporti e përcakton si 3.2 ofertues për procedurë në mesataren e BE-së, Shqipëria është në 3.7 ofertues mesatarisht.
Më tutje, në Shqipërinë e vitit 2025, numri i prokurimeve publike që janë mbyllur me fitues dhe me 1 ofertues është 12%, ndërsa mesatarja e BE-së është 14%. Shqipëria është në një fazë të avancuar të përparimit në këtë fushë dhe të pozicionimit në tryezën e negociatave në BE”, tha Rama./abcnews.al