... minut pas minuti

A do të jetojnë besimtarët në qiell apo në tokë të re?

publikuar nga Marten Visser, ne #Fjale Biblike. ora 08:00

Të dyja. Të gjithë besimtarët në Jezusin që vdesin përpara Ardhjes së tij të Dytë, së pari do të jenë me Të në qiell dhe më vonë do të jetojnë me Të në tokën e re, kur qielli dhe toka do të bëhen një.
Kur Jezusi po vdiste në kryq, Ai i tha kriminelit që besoi në Të: "Sot do të jesh me mua në Parajsë” (Luka 23:43). Pali shprehu të njëjtin besim se pas vdekjes ai do të ishte me Krishtin:
“Dëshira ime është të largohem dhe të jem me Krishtin, sepse kjo është shumë më mirë” (Filipianëve 1:23). Pra është e qartë që ne, nëse besojmë, do të jemi me Krishtin pasi të vdesim. Ky është qielli, ku është Jezusi (shih p.sh. Veprat e Apostujve 3:21), ku është Perëndia (shih p.sh. Mateu 23:9) dhe ku janë engjëjt (shih p.sh. Mateu 22:30). Trupi që kemi tani është thjesht një ‘çadër` (2 Korintasve 5:1), dhe kur  desim ne shkojmë në shtëpi për të qenë me Perëndinë (2 Korintasve 5:8).

Parajsa është vetëm një stacion në gjysmë të rrugës
Megjithatë të qenit në qiell është vetëm një stacion në gjysmë të rrugës. Të jesh njeri është të kesh një trup. Trupi që kemi tani nuk është aq i përsosur. Ka të gjitha llojet e kufizimeve. Ai njeh sëmundje, përkeqësohet dhe përfundimisht vdes. Por ne do të marrim një trup të ri, të lavdishëm në tokën e re. Tek 1 Korintasve 15, Pali e krahason trupin që kemi tani me një farë dhe trupin e ri që do të marrim në ringjallje me një bimë. 1 Korintasve 15:42-44 thotë: “Kështu do të jetë edhe ringjallja e të vdekurve; trupi mbillet në prishje dhe ringjallet në paprishje. Mbillet në çnderim dhe ringjallet në lavdi; mbillet i dobët dhe ringjallet në fuqi. Mbillet trup natyror dhe ringjallet trup frymëror. Ka trup natyror, ka edhe trup frymëror.”

Ringjallja e trupave tanë
Mësimi i Jezusit dhe ajo që lexojmë për trupin e ringjallur të Zotit Jezus na japin një ide se si do të jenë trupat tanë të ringjalljes. Ne ende mund të hamë (Luka 24:43), do të pimë verë me Jezusin (Mateu 26:29). Ne nuk do të martohemi (Mateu 22:30). Disa nga kufizimet e lëvizjes do të zhduken, siç tregoi Jezusi duke u shfaqur në një dhomë të mbyllur (Luka 24:36) dhe duke u zhdukur papritur (Luka 24:31).
Bibla flet shumë më tepër për ringjalljen e të vdekurve si shpresën tonë për të ardhmen (p.sh. Romakëve 6:5, Filipianëve 3:11), sesa për qenien tonë në qiell. Ringjallja e të vdekurve është pjesë e mesazhit të Ungjillit (p.sh. Veprat e Apostujve 4:2), jo shkuarja jonë në qiell.
Pas Gjykimit të Fundit, do të ketë një qiell të ri dhe një tokë të re ku ne do të jetojmë me trupat tanë të rinj. Jeruzalemi qiellor do të zbresë nga qielli dhe do të jetë në tokë. Perëndia Atë dhe Perëndia Bir do të jenë atje (shih Zbulesa 21). Qielli dhe toka janë bërë një. Qielli ka
ardhur në tokë. Por, kur përdorim fjalën "qiell” normalisht nuk mendojmë për dheun, pemët dhe lumenjtë, për këtë arsye është më mirë të përdorim termin "tokë e re” për vendin ku do të kalojmë përjetësinë me Zotin.