Prokurimet publike me inteligjencë artificiale/ Rama: Diella nuk fle gjumë, kemi marrë “dritën jeshile” nga Banka Botërore

0

TIRANË- Kryeministri Edi Rama deklaroi se “Diella” do të shënojë kalimin në një epokë të re të prokurimeve publike në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një projekt unik që do të transformojë mënyrën e të bërit biznes përmes inteligjencës artificiale.

Ai shpreh se mund të jetë krijuar perceptimi se “Diella” ka përfunduar misionin e saj, por në fakt projekti ndodhet në një fazë të re zhvillimi. Ai bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe janë hartuar 450 faqe me specifikime teknike të detajuara nga ekspertë vendas, dokumente që janë shqyrtuar edhe nga Banka Botërore.

Sipas tij, ekspertët shqiptarë kanë bashkëpunuar me specialistë nga vende të ndryshme për realizimin e projektit, i cili synon të lidhë të gjithë elementët e procesit të prokurimit në një zinxhir të vetëm funksional.

Rama theksoi se sistemi i ri do të eliminojë burokracitë për bizneset dhe ndërhyrjet njerëzore në dokumentacion. Të dhënat, sipas tij, do të mblidhen automatikisht nga mbi 40 regjistra publikë të digjitalizuar dhe bizneset do të mund t’i aktivizojnë ato vetëm me një klik.

Ai sqaroi se procesi do të përfshijë gjithçka, nga studimi i tregut deri te dorëzimi i ofertave dhe monitorimi i kontratave, ndërsa çdo ndërveprim do të jetë elektronik, transparent dhe i gjurmueshëm.

“Mund të jetë krijuar një opinion  sikur Diella bën punën që ka bërë më parë dhe fle, në fakt jo. Ne tani jemi në një fazë të re të procesit, pasi janë hartuar gjatë kësaj periudhe 450 faqe specifikime teknike të detajuara, për të cilat kanë punuar ekspertë të zotë vendas, dhe këto faqe janë vënë nën shqyrtimin e Bankës Botërore, që ka dhënë pak ditë më parë dritën jeshile, pa kundërshtime, certifikimin “pa kundërshtim” të çdo objekti ku Banka Botërore merr pjesë me financim, dhe tani jemi gati të kalojmë në ndërtimin e një sistemi absolutisht inovativ të prokurimit elektronik, një sistem unik me AI. Ekspertët tanë nuk kanë punuar në ishull të izoluar, por kanë ndërvepruar me ekspertë në një sërë vendesh.

Projekti ynë është i pari i këtij lloji, pasi synon që të gjithë elementët e procesit t’i vendosë në një zinxhir dhe të mundësojë prokurimin me AI në një masë shumë të madhe të procesit, dhe të bëjë të mundur që asnjë biznes të mos detyrohet të mbledhë letra lart e poshtë për prokurimet publike, asnjë nëpunës të mos ketë më në dorë të luajë me letrat e biznesit, por të dhënat të mblidhen nga Diella për mbi 40 regjistra publikë, që tashmë janë të digjitalizuar, dhe pastaj të jenë në dorën e biznesit për t’i aktivizuar vetëm me një klik. Një proces që do të shkojë nga studimi i tregut te dorëzimi i ofertave, monitorimi i kontratave dhe çdo ndërveprim do të jetë vetëm me ekran, totalisht transparent dhe i gjurmueshëm.

Kjo do të bëjë që për institucionet publike të mbyllet njëherë e mirë kapitulli i problematikave të gjithfarëllojshme për hartimin e specifikimeve teknike, llogaritjen e fondit limit, shqyrtimin e ofertave dhe vlerësimin e tyre.

Diella do ta bëjë këtë shqyrtim me algoritme inteligjente, shpejt, saktë dhe paanshmërisht, por i gjithë procesi do të jetë plotësisht i gjurmueshëm dhe, për këdo që do të ketë pretendime, do të jetë e mundur që të rikthehet në pikën e nisjes për të parë të gjithë procesin manualisht.

Sistemi është planifikuar të ndërtohet me parimet më të larta të transparencës, të shkruara nga institucionet dhe organizatat ndërkombëtare.Shqipëria së shpejti shtet evropian në Bashkimin Europian dhe Diella do të shënojë kapërcimin nga një epokë në tjetrën mënyrën e të bërit biznes. Përmbysje totale e një sistemi dhe një reflektim”, theksoi Rama./abcnews.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *