Milan, Champions në rrezik/ Kuqezinjtë munden nga Atalanta në “San Siro” në Serinë A

0

E pamundur të mendohej skenar më i keq. Disa javë më parë, pas fitores së derbit ndaj Interit, Milani u mendua edhe si pretendent i rëndësishëm për titullin kampion, ndërsa tani e sheh veten jashtë zonës Champions në Serinë A.

Humbja me Atalantën brenda në “San Siro” e zbriti në vendin e pestë, ndërsa në Ligën e Kampionëve shkojnë katër ekipet e para.

Në një mbrëmje që u duk si aspak e vërtetë, kuqezinjtë e trajnerit Masimiliano Alegri, u vunë përpara nga Atalanta, për të cilën këtë herë nuk luajti kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti.

Një dëmtim e pengoi mbrojtësin veteran. Ederson që në 7’ dhe Zapakosta në 29’ i dhanë epërsinë 2-0 bergamaskëve që në pjesën e parë. Raspadori e rriti avantazhin në 3-0 menjëherë pas pushimit, dhe reagimi i vendasve erdhi, por doli pa vlerë.

Pavlovic shënoi dy minuta para fundit, dhe Nkunku ktheu në gol një penallti në minutën e katërt shtesë. Kur duhen edhe vetëm dy javë deri në përfundim të kampionatit, Milani është i pesti me 67 pikë, po aq sa Roma, por që ka bilanc më të mirë në ndeshjet direkte, si dhe golaverazh më të mirë.

Juventus ka 68 pikë dhe Komo është pranë me 65, pra priten 180 minuta tepër të forta në mbyllje të Serisë A./abcnews.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *